Prokuroria e Posaçme iu ka komunikuar akuzat disa prej ish-zyrtarëve të arrestuar në kuadër të dosjes “5D”. Burime të besueshme konfirmojnë se Mariglen Qatos, Redi Mollës dhe Taulant Tushës iu është komunikuar akuza për veprat penale korrupsion pasiv dhe mosdeklarim pasurie.
Kjo për shkak të respektimit të afateve për mos parashkrimin veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë për shkak të afateve kohore kur dyshohet të jetë kryer.
Pavarësisht se i ka marrë në hetim për këtë vepër, SPAK është duke vijuar hetimet për aferën 5 D.
Ligji thotë nëse brenda afatit 5-vjeçar nuk iu komunikon akuzën, ajo parashkruhet. SPAK ka vendosur që t’i komunikojë disa nga akuzat në mënyrë të tillë që mos të parashtrohet vepra penale dhe të vijojë hetimet. Ndërkohë, vijojnë hetimet për aferën 5D.
Përgjimet e komunikimeve mes punonjësve të ndryshëm të kompanisë dëshmojnë se pronësia e Qatos dhe Mollës mbi kompaninë ishte një “sekret” që e dinin të gjithë dhe as nuk kishte ndonjë përpjekje shumë të fortë për ta mbajtur të maskuar. Përgjimet e dosjes së SPAK paraqesin gjithashtu një mjedis pune të dominuar nga sherret dhe presioni, punonjës që marrin qetësues për të fjetur gjumë dhe një inspektim të çuditshëm nga ana e Tatimeve, në të cilën inspektorët tatimorë “kishin parë diçka që nuk duhej të shihnin”.
Historiku i suksesit të kompanisë 5D Konstruksion buron sipas SPAK nga pozicioni publik i aksionerëve të fshehtë të saj. Kompania arrinte të fitonte tenderë të panumërt në institucionet e Bashkisë Tiranë, por nuk ishte në gjendje të fitonte tenderë në institucione të tjera publike nën varësi të zyrtarëve të tjerë socialistë.
Hetimi zbuloi gjithashtu se paratë që besohet se iu vodhën shqiptarëve me tenderë të manipuluar u investuan në ndërtim pallatesh. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pas vitit 2021, kompania nisi ndërtime në pesë objekte, kryesisht pallate banimi dhe një hotel në Durrës.
Në fakt, në lidhje me hotelin në Durrës, kompania u pajis edhe me statusin special të dhënë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, status që i fal kompanisë taksa dhe i ngarkon taksapaguesit me mbulimin e kostove të shërbimeve bazë si ujë, kanalizime, etj..
Hoteli në Durrës sjell në vëmendje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, në komunimimet private të punonjëses J.B., përshkruhet si asgjë më pak se njëri prej aksionerëve pas hotelit, i cili rezulton zyrtarisht në emrin e katër personave të tjerë.
“Këtë hotelin po e bëjmë ne,” thotë punonjësja e kompanisë. “Është aks. pronari jon… Lali eri… E kta.”