Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) duket se është përfshirë një skemë abuzive, duke financuara inceneratorin e Tiranës me para, të cilat duhet të shkojnë për blegtorët dhe fermerët. Gazeta “SOT”, e ka deklaruar pak javë më parë se AZHB e drejtuar nga Frida Krifca, tanimë ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, është përfshirë në skema korruptive, duke abuzuar me fonde, të cilat ua shpërndan biznesmenëve dhe miqve të saj që s’kanë lidhje me bujqësinë dhe blegtorinë, por jo fermerëve dhe blegtorëve, ndërkohë që nga dita në ditë po faktohen këto pretendime. “Revista Monitor” ka bërë një vëzhgim, teksa shkruan se një blegtor me inicialet D.Ç. dhe me përvojë nga fshati Samaticë i Beratit falimentoi pak muaj më parë.
Mbylli fermën e gjedhit me të cilën kishte kaluar gjysmën e jetës dhe u nis si emigrant drejt Gjermanisë, pasi iu refuzua mbështetja me subvencion nga programi IPARD për një detaj honorifik që kishte të bënte me distancën e stallës nga banesa. Drama e blegtorit është si ajo e shumë fermerëve shqiptarë, që po detyrohen të largohen, pasi nuk arrijnë të mbijetojnë me aktivitetin e tyre. Ndërkohë fonde që duhen të shkonin për mbështetjen e tyre u janë dhënë personave që ishin të lidhur me inceneratorin e Tiranës. Po ashtu, “Revista Monitor”, ka siguruar disa dokumente ku shihet se, personi EB, i cili me prokurë të posaçme noteriale përfaqëson dhe vepron në emër të inceneratorit të Tiranës, “Integrated Energjy BV SPV”, me të drejtë firmë në të gjitha dokumentet e shoqërisë, ka përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD nën masën “Investime në asete fizike të fermave bujqësore”, në emër të kompanisë së tij E B person fizik për të investuar në sera në një tokë në Sharrë që e ka blerë nga koncesionari.
Denoncimi nga eksperti i blegtorisë Ervin Resuli
Fondet janë grant i pakthyeshëm që Bashkimi Europian i jep qeverisë shqiptare si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi. Keqpërdorimin e fondeve IPARD e ka denoncuar në media këto ditë eksperti i blegtorisë Ervin Resuli. Nga dokumentet, investitori E B (i regjistruar si person fizik) është përfituesi i 310 mijë eurove dhe njëkohësisht është punonjës i inceneratorit të Tiranës, me të drejtë firme me kompetenca të plota i kompanisë Integrated Energjy BV SPV” . Në disa kontrata figuron dhe si punëtor, me pas i blen-shet toka me inceneratorin dhe në fund administrator i tij 9të drejtë firme). E.B. (si person fizik) ka një kontratë konsulencë edhe me kompaninë “Consulting Se Partners”, në pronësi 80% të Stela Gugallja, e cila merr përsipër që të kryejë të gjitha veprimet (sipas dokumentit të mëposhtëm Kontratë konsulencë). Stela Gugallja është sot në kërkim nga SPAK për abuzime me inceneratorin e Elbasanit (pjesë e të njëjtës skemë për përfitimin e tre kontratave koncesionare për inceneratorët në Fier, Tiranë dhe Elbasan). Pas aplikimit me asistencën e “Consulting Se Partners” AZHBR ka shpallur fitues personin fizik E B nga fondet e programi IPARD 2020 -2021 me mbështetjen maksimale të skemës 65% te vlerës më shumë 310 mije euro.






