SPAK do hetojë dosjen 700 000 euroshe të Ilir Metës. Zbulohen dëshmi dhe tabulate telefonike fakte dhe… roli i Bujar Nishanit..!

0

Zbardhen të tjera detaje nga beteja e presidenti Ilir Meta me prokurorin Bujar Sheshi. Ndaj këtij të fundit nisi një betejë për ta larguar nga KLP, me argumentin se ishte spiun i Sigurimit. Por gjykata dhe prokuroria rrëzuan pretendimet dhe ai është ende sot në detyrë. Por duket se gjithçka ka të bëjë me inate të vjetra, pasi Bujar Sheshi është prokurori i cili gozhdoi Ilir Metën në gjyqin për aferën 700 mijë eurosh. Gazeta ka vendosur të publikojnë në një cikël numrash të gazetës, detaje nga gjyqi i Metës dhe provat që Bujar Sheshi nxori kundër tij, por për të cilat gjykata mbylli sytë. Përveç videos së famshme ku Meta fliste për 700 mijë euro, ka pasur dhe prova të tjera kundër ish-ministrit të asaj kohe.

Një ndër provat më të forta kanë qenë tablatet telefonike dhe dëshmitë. Në përfundim të hetimeve, Bujar Sheshi u shpreh i bindur se është e provuar që në datën 1 mars të vitit 2010, rreth orës 13.00, në zyrën e Dritan Priftit ka shkuar i pandehuri Ilir Meta, i cili në atë kohë mbante funksionet e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Sipas prokurorit, ky i fundit gjatë bisedës së zhvilluar, i ka propozuar të favorizojë në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milion euro, duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a. në ankandin për “Shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto” të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a.

Dëshmia e Priftit

Një prova e fortë e prokurorisë ishte dëshmia e Dritan Priftit. Ai ka treguar se Meta gjithmonë i shkonte në zyrë vetëm për pazare dhe për asgjë tjetër. “Zoti Meta, gjatë takimit në zyrën time, më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës, në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij Bekim Halilaj. Unë, me sa mbaj mend, sepse ai kërkonte anullimin e ankandit në atë periudhë, sepse mendohej që zoti Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren e këtij ankandi dhe kërkonte shtyrjen e ankandit dhe unë për të mos qenë kundërshtues dhe për mos lënë hapësira që ai ta kuptonte që ishte duke u regjistruar, thashë, po do ta bëj, ai nguli këmbë, tha: Mbaroje pse nuk e mbaron? Anuloje, pse nuk e anullon?”, ka thënë Prifti në deponimin e tij.

Tabulatet telefonike

Meta në qëndrimet mediatike dhe përmes avokatëve në gjyq, gjithmonë ka mohuar pretendimet e Priftit dhe prokurorisë, por Bujar Sheshi, ka pasur një provë të pakundërshtueshme, tabulatet telefonike. Sipas tabulateve në datën 01.03.2010 në orën 10:59 dhe 13:16, Ilir Meta i ka telefonuar Dritan Prifti. Po kështu edhe të dhënat e sistemit TIMS që konfirmojnë faktin e largimit të Metës jashtë shtetit në të njëjtën ditë në orën 13:57, sipas prokurorisë. Në video Meta flet në telefon me përfaqësuesin e Shoqërive Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., shtetasin Agim Rrapaj. Në atë kohë ai e ka mohuar diçka të tillë, por tabulatet telefonike kanë treguar të kundërtën. “Kjo rrethanë fakti, mbështetet plotësisht nga analiza e tabulateve telefonike të shtetasit Agim Rrapaj, që është administruar si provë, e cila paraqet komunikimin me telefon ndërmjet tij dhe Ilir Metës më datën 01.03.2010 në orën 13:28, gjatë kohës që ai ishte në takim në zyrën e dëshmitarit Dritan Prifti. Kjo është një provë tjetër e pakundërshtueshme që mbështet vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit dhe tregon gjithashtu për interesimin e të pandehurit për këtë koncesion dhe ndërhyrjen e tij në favor të kompanisë që përfaqësohej nga Agim Rrapaj”, thuhet në argumentet e prokurorisë. Në ditët në vijim gazeta do tregojë të tjera detaje që tregojnë dhe presionet ndaj gjyqësorit. K.T.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu