Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë bilancin e punës për muajin Tetor.
SPAK thotë se janë regjistruar 9 procedime penale, 1 që lidhet me krimin e organizuar dhe 8 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Sipas SPAK, janë dërguar për gjykim 70 persona të pandehur.
Gjithashtu SPAK thekson se janë sekuestruar me vendim gjykate 8 pasuri, përfshirë 2 subjekte tregtare, 3 automjete, një sipërfaqe toke prej 1809 m² dhe 2 objekte.
Njoftimi nga SPAK:
Mbi disa tregues statistikorë të punës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për muajin Tetor 2022
Janë paraqitur 9 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.
Janë regjistruar 9 procedime penale, nga të cilat, 1 procedim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 8 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Janë dërguar për gjykim 8 procedime penale me 70 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 20 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 6 procedime me 50 të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë miratuar nga Gjykata e Posaçme 9 masa sigurimi personale ndaj 9 personave nën hetim.
Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 2 vendime themeli, duke deklaruar fajtorë 4 të pandehur.
Bazuar në ligjin Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (të ndryshuar), janë sekuestruar me vendim gjykate 8 pasuri, si më poshtë:
– 2 subjekte tregtare.
– 3 pasuri të luajtshme të llojit automjet.
– 3 pasuri të paluajtshme, nga të cilat, një sipërfaqe toke prej 1809 m² dhe 2 objekte.
Janë ekzekutuar 6 vendime penale të formës së prerë, nga të cilat 2 vendime të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe 4 vendime nga të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Në zbatim të vendimeve të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 19 persona të dënuar.
Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për konfiskimin në proces penal për 1 automjet; 14 copë aparate celularë të markave të ndryshme; 15.000 lek; 350 euro dhe 7.300 Usd.
Janë miratuar nga prokurorët e posaçëm 7 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 4 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.
Janë vënë në ekzekutim 4 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore dhe janë dërguar 2 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja.
Në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore është realizuar transferimi i procedimit penal shqiptar pranë një autoriteti të huaj.
Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar për 4 shtetas shqiptar.
Janë mbajtur 3 takime koordinuese, pjesë e marrëveshjeve në kuadër të skuadrave të përbashkëta hetimore me autoritetet e huaja.
3 prokurorë të posaçëm kanë marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të zhvilluara jashtë vendi.
U është kthyer përgjigje 16 kërkesave për informacion të paraqitura nga gazetarë, media apo agjenci lajmesh të ndryshme.
Janë kthyer 75 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione publike të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.
Janë monitoruar treguesit e realizimit të buxhetit të SPAK për muajin tetor 2022; Është përdorur AFMIS në të gjitha fazat e ciklit të Menaxhimit Financiar të SPAK; Janë iniciuar 6 procedura prokurimi dhe janë nënshkruar 6 kontrata furnizimi me mallra dhe shërbime.
Është realizuar nga Drejtuesi i SPAK seanca e prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2023 të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Është arritur përfundimi i konfigurimit të Datacenter dhe konfigurimi i sistemit te sigurisë të postës elektronike në SPAK. Ka vazhduar puna për realizimin e marrjes të aksesit në databazat e institucioneve shtetërore, duke realizuar aksesin në dy sisteme të reja databazash.
Është monitoruar me përparësi siguria e informacionit elektronik dhe zbatimi i rregulloreve të brendshme në lidhje me trajtimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, duke garantuar ruajtjen, sigurinë dhe integritetin e informacionit të klasifikuar.
Është ngritur grupi punës dhe ka filluar puna për krijimin e infrastrukturës për realizimin e sistemit të menaxhimit elektronik të dosjeve në SPAK.