Skandali në Bulqizë/ Si Oligarku i Belinda Balluku, Marin Gjonaj, po rrëmben tokat e Gjoricës për park fotovoltaik

0

Shkruan Almer Toska

Në Gjoricë të Poshtme të Bulqizë po ndodh një histori që banorët e përshkruajnë si grabitje moderne e pronës. Ajo që u prezantua si “zhvillim ekonomik” dhe “investim për të ardhmen”, sot po shihet nga komuniteti si një skemë e mirëorganizuar për të marrë nën kontroll tokat e përbashkëta të zonës dhe për t’ia kaluar ato një grushti kompanish të lidhura me interesa të mëdha.
Gjithçka shpërtheu gjatë një dëgjese publike të organizuar nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës, e cila në vend që të ishte një proces konsultimi me qytetarët, u kthye në një përplasje të fortë mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë. Banorët kërkonin transparencë: cilat toka po jepen, ku ndodhen dhe kush do t’i përfitojë? Përgjigjet munguan. Në vend të qartësisë, pati shmangie dhe deklarata të përgjithshme që vetëm sa shtuan dyshimet.

Në thelb të kësaj historie qëndron një skemë që ngre shumë pikëpyetje. Në vitin 2024, rreth 42 hektarë tokë pyjore dhe kullosore në Gjoricë u dhanë për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Projekti u shit si një mundësi zhvillimi për zonën, madje si një investim “lokal” që do sillte përfitime për banorët. Por realiteti rezultoi ndryshe.
Kompania Solar Park Gjorica, e krijuar nga biznesmeni Sokol Tasha, vetëm pak javë pasi mori tokën dhe miratimin, u shit pothuajse e gjitha për një vlerë simbolike prej 1000 euro tek Gjonaj Group Holdings. Marin Gjonaj është oligarku që fshihet pas kësaj skeme. Një transaksion që ngre dyshime serioze: si është e mundur që një projekt me dhjetëra hektarë tokë dhe potencial të madh energjetik të kalojë në duar të tjera për një çmim qesharak?
Banorët e Gjoricës e shohin këtë si një mashtrim të pastër. Ata pretendojnë se u bindën të japin tokat me idenë se po mbështesnin një investim lokal, ndërsa në prapaskenë gjithçka ishte planifikuar për t’iu kaluar një grupi të madh biznesi.
Dhe ndërkohë që kjo pjesë e tokës tashmë është nën kontroll për ndërtimin e paneleve diellore, Bashkia po përgatitet të nxjerrë në ankand edhe sipërfaqe të tjera ngjitur me të. Pra, procesi nuk ndalet – përkundrazi, duket se po zgjerohet.
Banorët paralajmërojnë se nëse kjo vazhdon, Gjorica do të humbasë tërësisht tokat e saj të përbashkëta. “Këto toka nuk janë thjesht sipërfaqe”, shprehen ata, “janë pasuri e trashëguar ndër breza, të blera me mund dhe sakrifica, madje me flori nga të parët tanë”.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është mungesa e përfaqësimit dhe transparencës. Në një dëgjesë që duhet të ishte vendimtare për fatin e këtyre pronave, vetëm një anëtar i këshillit ishte i pranishëm – dhe ai nga opozita. Një fakt që vetëm sa forcon bindjen e banorëve se vendimet janë marrë diku tjetër, larg tyre.
Kjo histori nuk është më thjesht një debat lokal për toka. Është një çështje e rëndë publike që kërkon hetim të thellë: si u dha toka, pse u lejua ky transferim pronësie dhe kush përfiton realisht nga kjo skemë?
Banorët kërkojnë një gjë të vetme: drejtësi dhe transparencë. Dhe kjo është një thirrje e hapur për institucionet ligjzbatuese, veçanërisht për SPAK, që të hetojë këtë rast deri në fund.
Sepse kur toka e një komuniteti kalon në duart e një kompanie për 1000 euro, nuk kemi të bëjmë më me zhvillim – kemi të bëjmë me grabitje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu