Policia e Oslos ka ngritur akuza të rënda ndaj Marius Borg Høiby, djalit të madh të Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, për vepra të shumta penale, përfshirë përdhunim, sulm seksual dhe lëndim trupor.
Akuzat, të cilat bazohen në mesazhe, dëshmi të dëshmitarëve dhe hetime të zgjeruara policore, përfshijnë një numër “dyshifror” viktimash të dyshuara.
Hetimet ndaj Høiby, 28 vjeç, kanë zgjatur më shumë se një vit dhe kanë çuar në disa arrestime gjatë vitit 2024.
Prokurori i çështjes, Andreas Kruszewski, konfirmoi në një konferencë për shtyp se faza hetimore është përmbyllur dhe tashmë çështja ka kaluar në duart e drejtësisë.
Akuzat përfshijnë një rast të përdhunimit me marrëdhënie seksuale, dy raste pa marrëdhënie seksuale, katër raste të sulmeve seksuale dhe dy raste të dëmtimeve fizike.
Avokati mbrojtës i Høiby, Petar Sekulic, deklaroi se klienti i tij i merr shumë seriozisht akuzat, por mohon përfshirjen në shumicën e tyre, sidomos në ato që lidhen me abuzimin seksual dhe dhunën.
Ky zhvillim ka tronditur opinionin publik në Norvegji, ku familja mbretërore gëzon një reputacion të lartë dhe është e respektuar gjerësisht.
Marius Borg Høiby, i cili është djali nga një lidhje e mëparshme e princeshës dhe është rritur në pallatin mbretëror me Princin Haakon dhe fëmijët e tyre, aktualisht jeton i pavarur dhe ndodhet i lirë në pritje të gjykimit.
Ai konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.