Shqipëria nuk bëhet me heronj elektoralë!

0

Shkruan Arian Galdini

Në histori, popujt i kanë njohur heronjtë në tri forma, si shenjtorë të gjakut e sakrificës, si burra shteti të vendimeve të mëdha dhe si mendimtarë të qartësimit moral e shpirtëror të kombit.
Këto janë tre format e vetme legjitime dhe universale të Heroit.
Të tjerat janë mashtrime, simulime, farsa.
Sot, në Shqipëri, po ndodh një deformim i rrezikshëm, pasi po krijohen “heronj elektoralë”, qenie politike të prodhuara në laboratorin e pushtetit, të pompuara nga media, të projektuar nga konsulentë strategjikë të Regjimit Skuthokratik PS – PD dhe të huaj, e në fund të servirur si shpëtimtarë popullorë, si heronjtë që do populli, si shpresa e re e popullit.
Por Shqipërisë nuk i duhen heronj të fryrë, të sajuar, të prodhuar në hipruvetat e Regjimit.
Shqipërisë i duhen shembuj të vërtetë.
Këta që sot quhen “liderë të rinj” nuk janë heronj.
Janë surrogato.
Nuk janë shpresa.
Janë zëvendësues të kontrolluar.
Nuk janë udhëheqës.
Janë produkt i marketingut politik të Regjimit.
Le të shohim pak se kush është Hero e kush janë modelet e heroit sipas historisë dhe mendimit akademik…
Heroi, në kuptimin historik dhe filozofik, nuk është as produkt i popullaritetit, as i famës, as i marketingut.
Ai është një figurë e lindur nga nevoja e thellë e shoqërisë, nga rreziku, nga kriza, nga sakrifica dhe nga vizioni.
Heroi është gjithmonë një vetësublimues në emër të një ideali më të madh se vetvetja.
Filozofët klasikë si Plutarku e Shekspiri e shihnin heroin si njeri që sfidon fatin e tij personal për të ndryshuar fatin e të gjithëve.
Hegeli e përshkruan heroin si “mjeti i shpirtit të botës” që ndihmon historinë të ecë përpara.
Nietzsche e shihte heroin si njeriun që thyen moralin ekzistues dhe krijon një vlerë të re.
Herakliu e quante “ai që e ndërpret gjumin e Epokës”.
Historikisht, heronjtë kanë qenë:
• Udhëheqës të rezistencës dhe sakrificës: Skënderbeu, Ded Gjo Luli, Gjergj Fishta, Adem Jashari;
• Reformatorë të shtetit dhe strukturave: Abraham Lincoln, Ataturk, De Gaulle;
• Zëra të moralit dhe shpresës: Martin Luther King, Vaclav Havel, Nelson Mandela, Nënë Tereza.
Këta nuk u bënë heronj sepse u pëlqyen nga populli, as sepse bënë mitingje, as sepse shëtiteshin nëpër studio televizive, as sepse pompoheshin ne Sondazhe dhe Anketime, as sepse pushtonin industrialisht çdo rrjet social, por sepse ndryshuan rënjësisht realitetin dhe e paguan me gjithçka që kishin.
Heroi nuk është njeriu i dashur dhe i pëlqyer, por i drejti, i duhuri dhe i nevojshmi.
Ai që nuk e shet veten te turma, por e shkrin veten për ta zgjuar turmën.
Ai që nuk adhuron pushtetin, paranë, e famën, por ndryshon rrugën e kombit.
Heroi historik, që ngrihet në panteonin e kombit, nuk vjen kurrë nga komoditeti.
Nuk lind nga PR-i, nga sondazhet, nga tubimet spektakolare.
Heroi lind në shtypje, në vuajtje, në mëkat e në lartësim, në vetësublimim total.
Por sot, po ndodh e kundërta.
Po shohim njerëz të cilët, pa u provuar kurrë në sfidë reale, pa kaluar nëpër djegien e brendshme të mohimit, as nëpër sakrificë, ngrihen në piedestale si “heronj të rinj”.
Kjo nuk është vetëm e pavërtetë.
Èshtë e rrezikshme.
Sepse mashtrimi me shpresë është mjeti më i sofistikuar i pushtetit të shekullit XXI.
Regjimi Skuthokratik Rama-Berisha, i lodhur nga përplasja direkte dhe i demaskuar në sytë e publikut, ka kaluar tashmë në fazën më tinëzare të vetes: menaxhimin e ndryshimit.
Që prej dy vitesh, Shqipërisë po i shfaqen figura të reja politike, të cilat, në vend që të lindin organikisht nga zëri i dhimbjes popullore, shfaqen si të kompletuar, të financuar, të ndërtuar, të paketuar.
Ata nuk i kanë përjetuar as ndalimin, as shpërfilljen e zvogëlimin, as pengesat e as bllokimin.
As baltën.
As mohimin.
As vetminë.
As ngjitjen e ngadaltë të malit.
Por ata u katapultuan.
U projektuan.
U ngjitën në sondazhe.
U bënë popullorë, shumë popullorë si me magji.
Kjo është strategjia e një pushteti që s’do të rrëzohet, por të rindryshohet në sipërfaqe.
Që mos të dëgjohet zëri i vërtetë, ai e mbulon këtë zë me britma false shprese.
Përmes mediave, përmes rrjeteve sociale, përmes sondazheve të paguara dhe opinionistëve me mëditje, popullit i serviret ideja se: “Ja, populli tani po zgjedh diçka të re!”
Por kjo “e re” në fakt, nuk sfidon fare Regjimin.
Kjo “e re” nuk prek a gërvisht kurrkund strukturat e pushtetit edhe kur shfaqet si antisistem e antikorrupsion, nuk cënon kurrë oligarkët edhe kur i shan mbarë e prapë sepse prej tyre mediatizohet e financohet, nuk shqetëson askënd.
Sepse është pjellë e vetë atij sistemi që pretendon se do ta ndryshojë.
Këtu kemi të bëjmë me një formë të sofistikuar të gënjeshtrës, jo gënjeshtër të thjeshtë, por simulim të realitetit politik.
Shumëkush çuditet pse këta liderë të rinj surrogato renditen në sondazhe më lart se Berisha, por gjithmonë pas Ramës.
Nuk është rastësi.
Është dizenjim.
Ky është pakt i heshtur Rama-Berisha, ku i pari mban pushtetin, i dyti legjitimon sistemin duke mbetur lideri i Opozitës dhe të dy bashkëpunojnë në fiktivizimin e alternativave të reja kinse mëtonjëse.
Liderët surrogato janë mjeti i përbashkët:
Që populli të mendojë se ka alternativë.
Që shpresa të mos lindë nga dhimbja e vërtetë.
Që asgjë reale të mos ndodhë.
Shqipërisë po i prodhohen për herë të parë, liderë të rinj popullorë, liderë të shpresës së re, legjenda, shpëtimtarë që të vetmen meritë që kanë është se janë “liderë që bëjnë mitingje”…
Të bësh mitingje nuk është sakrificë.
Të krijosh parti të re nuk është akt heroik.
Të jesh i ftuar i mediave të Regjimit dhe të Oligarkëve, të jesh i pompuar në Sondazhet dhe Anketimet e organizuara dhe paguara nga Pronarët e Mediave që i shërbejnë Regjimit, të jesh i pëlqyer me pagesa të majme dhe ndërhyrje teknike në rrjete sociale nuk do të thotë se je shpresë e kombit.
Shqipërisë i duhen ata që digjen, që ndalohen, që mohohen, që nuk përdorin as popullaritetin, as thirrjet, por që ecin vetëm, të vërtetë dhe të përmbysur nga përbrenda.
Shqipërisë i duhen burrat e Itakës, jo klonet dhe kllounët e gatshëm të skenës.
Nëse pranojmë që kushdo që çel parti të re e bën mitingje, e mban fjalime, që ka financa e PR, mund të quhet Hero, çfarë mbetet nga historia e vërtetë e popullit tonë?
Çfarë do të thotë Skënderbeu, Adem Jashari, Nënë Tereza, Ded Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, kur të renditen krah një “lideri të ri” që bën mitingje e mban fjalime dhe e ftojnë në panele televizive e dend publikun me stories Instagrami, reels Facebooku, e postime Tik Toku?
Jo.
Kjo nuk është e drejtë.
As e vërtetë.
As e ndershme.
As historike.
As normale.
Është mashtrim.
Dhe nëse e pranojmë si realitet, atëherë nuk do të jetë më Shqipëria ajo që kemi ëndërruar.
Do të jetë një vend ku iluzioni ka zëvendësuar realitetin.
Por për aq kohë sa ekziston dikush që refuzon të bëhet pjesë e farsës, ka shpresë.
Për aq kohë sa ekziston dikush që nuk pranon të quajë hero mashtruesin, Shqipërisë nuk i ka vdekur busulla.
Shqipërisë nuk i duhen heronj elektoralë.
Shqipërisë i duhen ata që nuk kërkojnë kurrë të quhen heronj.
Ata janë të vetmit që ndoshta, një ditë, do të jenë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu