Shpella e Shenjtë e Kovadonjës në Spanjë: Aty ku nisi Rekonkista

0

Shkruan Kostantin Luçi

E fshehur mes maleve të thepisura të Asturias, në veri të Spanjës, ndodhet Shpella e Shenjtë e Kovadonjës, një vend ku historia, besimi dhe legjenda ndërthuren në mënyrë të pazakontë. Për besimtarët e krishterë Katolikë, kjo shpellë nuk është thjesht një vend i shenjtë, por një simbol i mbijetesës dhe i ringjalljes shpirtërore në një nga periudhat më të turbullta të gadishullit Iberik.
Sipas traditës, mbreti Pelagji i Asturisë (Pelayo), një figurë themeluese në historinë spanjolle, ndoqi një kusar që ishte strehuar në këtë shpellë. Aty hasi një eremit që ishte duke u lutur para Shën Marisë. Kur mbreti i kërkoi ta dorëzonte banditin, eremiti iu përgjigj me fjalë të fuqishme: “Ai kërkoi mbrojtjen e Virgjëreshës Mari; edhe ty, një ditë, do të të duhet të vish këtu.” Dhe vërtet, sipas kronikave të mëvonshme, vetë mbreti Pelagji, gjatë betejës së tij kundër ushtrive islame, u strehua në këtë shpellë dhe aty organizoi rezistencën që do të njihej si fillimi i Rikonkistës – procesi shumë-shekullor i rimarrjes së tokave të pushtuara nga kalifatet islame[1].
Beteja e Kovadonjës (rreth vitit 722 ), e cila besohet të ketë ndodhur pranë kësaj shpelle, përmendet nga historianët si momenti kur lindi mbretëria e parë e krishterë Katolike në veri të Spanjës[2].
Në sytë e shumë spanjollëve, kjo shpellë nuk është vetëm një vend pelegrinazhi, por edhe një gur themeli i identitetit të tyre historik dhe shpirtëror.
Sot, Shpella e Shenjtë e Kovadonjës është një vend i mbushur me qetësi dhe solemnitet. Në të, vizitorët mund të ndiejnë peshën e shekujve dhe të përfytyrojnë zërat e lutjeve që janë ngritur ndër breza, nga ushtarët e parë të Pelagjit deri te pelegrinët e kohëve moderne.
Kovadonja nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës, por një fener që vazhdon të ndriçojë kujtesën dhe besimin e një populli që i ka mbijetuar stuhive të historisë.
Referenca
[1]: Collins, Roger. The Arab Conquest of Spain 710–797. Blackwell Publishers, 1989.
[2]: Barton, Simon. A History of Spain. Palgrave Macmillan, 2004.
[3]: Fletcher, Richard. Moorish Spain. University of California Press, 2006.
[4]: Krónika Mozárabe e vitit 754 – burim bashkëkohor që përmend betejën e Kovadonjës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu