Shtëpia e Bardhë tha se ka informacione të reja të inteligjencës që tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë shkëmbyer letra, ku Rusia dëshiron që të sigurojë municione nga Veriu për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, dha detaje për gjetjet e reja vetëm disa javë pasi Shtëpia e Bardhë tha se ka faktuar që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, gjatë vizitës së realizuar së fundi në Phenjan, i ka bërë thirrje zyrtarëve verikoreanë që të rrisin shitjet e municioneve për Moskën, në mënyrë që Rusia t’i përdorë ato për luftën në Ukrainë.
Kirby tha se Rusia po synon që të sigurojë municione shtesë për artileri dhe materiale të tjera bazike për të forcuar industrinë e saj të mbrojtjes.
Ai shtoi se letrat e shkëmbyera “ishin më shumë në nivel sipërfaqësor”, por bisedimet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut për shitjen e armëve kanë avancuar. Liderët shkëmbyen letra pas vizitës së Shoigut, tha ai.
“Pas vizitës së Shoigut, një grup tjetër i zyrtarëve rusë udhëtojë për në Phenjan për të vazhduar diskutimet për marrëveshjet e mundshme për blerjen e armëve mes dy shteteve”, tha Kirby.
Kirby refuzoi të japë detaje se si zyrtarët amerikanë kanë mbledhur këto informacione të inteligjencës.
Pak para se Shtëpia e Bardhë të publikonte informacionet e reja lidhur me bisedimet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë për armët, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike drejt ujërave të tij lindorë, tha ushtria e Koresë së Jugut. Ky testim erdhi disa orë pasi SHBA-ja fluturoi mbi Gadishullin Korean një bombardues me rreze të gjatë veprimi për të treguar forcën kundër Veriut.