Sfingsi/ Testi i maturës, prapë si tek problema e Shvejkut

0

Shkruan Zija Vukaj

“Ta zëmë se kemi një shtëpi me tre kate dhe një avlli. Në çdo kat ka gjashtë dritare shumëzuar me dy manare. Në pullaz ka katër baxha, një dajë dhe tre kushërinj; në çdo baxhë ka katër axhë dhe dy qiraxhinj. Më thoni, kur vdiq gjyshi i gjyshes së portierit të shtëpisë.”

I lumtë hartuesit të testit, që “zë mat” jo vetëm nxënësit e karantinuar të maturës 2020, por edhe mësuesit e tyre të talentuar e të hutuar nga pandemia që patën fisnikërinë t’u shërbejnë nxënësve të tyre edhe në kushtet më të pazakonta, të papritura, të pagjasa dhe të paparashikuara. Asnjëherë hartuesit e testeve nuk janë treguar më të errët se këtë vit. A thua se asnjëherë nxënësit dhe mësuesit nuk kanë qenë në kushte më komode. Por asnjëherë përpjekja çmendurake për ta kthyer gjuhën në shkencë tautologjike, 2+2 bëjnë katër nuk është shfaqur më çmendurisht se kësaj radhe. Ja, fjala bie, çfarë do të fitojë dhe çfarë do të humbë nxënësi maturant nëse nuk e di se fjala “plot” nuk është ndajfolje mënyre, por parafjalë. Dhe arsyetimi se mund të jetë parafjalë është se ndodhet para një emri. Ti, o hartues i testit, meqë të është mbushur mendja ta veçosh për analizë gramatikore këtë leksemë, më mirë do të bëje që në grupin -plot gdhenj- të provoje dijenitë leksikografike të fjalës gdhe, gjë e cila do të ishte më e dobishme për njohjen e njerëzve të sotëm me pasuritë leksikore të gjuhës sonë. Sepse krahas alternativave të kërkuara, mundet që të kesh harruar edhe atë të ndajfoljes së sasisë. (plot, shumë, pak fare). Nëse dikush thotë që “plot” është parafjalë, se ndodhet para një emri (gdhenj), ajo nuk ndodhet direkt para emrit, pasi është elipsuar parafjala “me” që nënkuptohet etj., etj. diskutime për gjininë e engjëjve…
Pa hyrë në hollësitë e labirinteve të përimëta të testit, pyetjet janë të mbushura të gjitha me raste sinkretike që mund të marrin interpretime të ndryshme, objekt shkencëtarësh të fushës dhe gjithmonë të pazgjidhshme, pasi nuk jemi në pastërtinë e shkencave ekzakte. Dhe siç shihet, shumë pak nga pyetjet nuk janë sinkretike. Nga ana tjetër, pedagogjia na thotë se në rastin e pyetjeve alternative (shumë me vend kjo praktikë për kushtet që kaloi mësimdhënia dhe mësimnxënia) alternativat duhet të jenë përjashtuese. Pra nuk duhet t’u japim nxënësve të gjejnë përgjigjen e saktë brenda 4 alternativave, ku 2 ose tri prej tyre kanë pjesë të së vërtetës. Unë që po shkruaj këta rreshta jam një mësues i vjetër, por edhe një përdorues i vjetër i gjuhës, në procesin e shkrimit në regjistra të ndryshëm gjuhësorë: (ese, studime, kritike, përkthime, artikuj, etj). Si mësimdhënës, prind dhe qytetar i këtij vendi mendoj se njohuritë që jepen në trajtën e rebuseve i ngjajnë praktikës së sfingsit, që i pret kokën kujtdo që nuk gjen kuptimin tepër të fshehtë të fjalës që ai i drejton, të enigmës së tij. Dhe enigma ndodhet gjithmonë brenda kokës së atij sfingsit që kërcënon viktimat e veta, në rastin tonë maturantët, fëmijët tanë, që edhe po t’i dinin përgjigjet njëlloj si sfingsi, asnjë dobi praktike, madje as kulturologjike nuk do të kishin. Përfundimisht, do të sugjeroja që testet të përgatiteshin nga mësimdhënësit dhe jo nga persona që prej dekadash kanë privilegjin të mos japin mësim, duke vënë në dyshim edhe aftësitë e mësuesve të shkëlqyer për t’i vlerësusr vetë ata nxënës me të cilët punojnë përditë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu