Ushtria ukrainase bëri të ditur të premten se Rusia ka dërguar mijëra trupa të rekrutuar së fundmi për të përforcuar mbrojtjen e rajonit jugor të Khersonit,
Në këtë rajon, forcat e Kievit kanë bërë përparime të konsiderueshme në ofensivën e tyre për të rimarrë territorin e pushtuar nga Moska, shkruan REL.
“Deri në 2000 rekrutë rusë mbërritën në rajonin e pushtuar të Khersonit për të zëvendësuar humbjet dhe për të forcuar njësitë në vijën e kontaktit,” thuhet në një deklaratë për shtyp të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.
Ukraina po përpiqet t’i shtyjë drejt lindjes forcat ruse në Herson, përtej lumit Dnipro që kalon mes rajonit. Ushtarët rusë në bregun perëndimor, ku ndodhet qyteti i Khersonit, thuhet se janë pranë shkëputjes nga linjat e furnizimeve dhe të përforcimeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Perëndimit që të ndalojë Rusinë së shpërthyeri një digë të madhe që do të përmbyste një pjesë të Ukrainës jugore, ndërsa forcat e tij përgatiten të sulmojnë trupat e Moskës në Herson në një nga betejat më të rëndësishme të luftës.
Zelenskiy tha se forcat ruse kishin vendosur eksplozivë brenda digës së madhe Nova Kakhovka, dhe po planifikonin ta hidhnin në erë.
“Tani të gjithë në botë duhet të veprojnë fuqishëm dhe shpejt për të parandaluar një sulm të ri terrorist rus. Shkatërrimi i digës do të nënkuptonte një katastrofë në shkallë të gjerë,” tha ai.