Ka rinisur këtë të enjte në orën 10:00 seanca në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet kërkesa e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta.
Sipas raportimeve pala përfaqësuese e Kreut të Shtetit është paraqitur me një dosje voluminoze, dhe pritet të japin argumentet mbi çështjen.
Pretendimeve të Kuvendit se arsyeja e shkarkimit të presidentit është për shkelje të rënda të Kushtetutës, përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj tha se mbrojtja e Presidentit është një dosje me 140 faqe dhe se Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën.
Ai deklaroi: “Presidenti i Republikës pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese. Neni 90 i kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij… duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të komisionit të ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i presidentit që mund të kishte shkelur në mënyrë të rreptë kushtetutën. Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor”,
Kujtojmë që më 1 shkurt u zhvilluan 11 orë debat dhe në fund Kushtetuesja vendosi ta shtyjë seancën për ditën e enjte.