Rama ultimatum bizneseve: Keni afat deri në 31 korrik të hiqni rraqet nga rrugët kombëtare, do ndëshkoheni rëndë

0

Ditën e sotme nëpërmjet një reagimi në Facebook, kryeministri Edi Rama i ka dhënë një tjetër ultimatum bizneseve të cilët kanë zënë hapësirat buzë rrugëve kombëtare.

Shefi i qeverisë thotë se bizneset kanë afat deri më 31 korrik për t’i liruar, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë për të liruar përfundimisht këto zona nga çdo element që cënon sigurinë rrugore dhe mjedisin.

Sipas kryeministrit, bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në afërsi të segmenteve rrugore kanë afat deri më 31 korrik për të larguar çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës, distancë e përcaktuar ligjërisht si zonë sigurie.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës.

Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.”, shkruan Rama.

Ai e ka cilësuar këtë aksion si pjesë e një përpjekjeje për të harmonizuar Shqipërinë me standardet europiane, duke theksuar se praktikat informale të zhvillimit ekonomik në dëm të komunitetit, mjedisit dhe sigurisë rrugore duhet të marrin fund.

“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE.”– përfundon kryeministri.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në aksin Kombinat-Ndroq-Plepa në kuadër të aksionit për lirimin e akseve rrugore nga “zaptuesit”.

Balluku theksoi se nuk do të tolerohet asnjë subjekt që ka zënë hapësirë në këto akse, pasi kjo përbën rrezik të madh për jetën e qytetarëve. Ajo shtoi se do të ketë gjoba dhe zero tolerancë për të gjitha bizneset që kanë zaptuar hapësirën publike dhe që nuk kanë leje mjedisore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu