Qytetarët bojkotuan treshen Berisha-Meta-Rama

0

Zgjedhjet e 14 majit i dhanë shuplakën e madhe treshes Rama-Meta-Berisha, të cilët po mbretërojnë në politikën shqiptare. Ata nuk e treguan me votë, por me bojkot. Pjesëmarrja e votuesve shënoi një rënie të ndjeshme dhe historike, duke e krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, por dhe me ato të kaluara. Vetëm 37.79% e zgjedhësve votuan në zgjedhje e së dielës, një rënie e ndjeshme e numrit krahasuar me vitin 2021, ku më 25 prill pjesëmarrja rezultonte në 45.48%. Elektorati gri përsëri nuk doli në votime, sepse nuk pranoi të japë votën tek Rama dhe nga ana tjetër nuk e bind as opozita. Numri i atyre që votuan është më i ulëti ndonjëherë, ç’ka tregon se shumica nuk voton, se nuk është frymëzuar nga opozita. Nuk e beson atë. Pra në radhë të parë janë demokratët që nuk donin ta votonin Berishën e Metën që dezertuan qendrat e votimit, duke e çuar pjesëmarrjen në pikën më të ulët të historisë së demokracisë. Që në orët e para të procesit të votimit, u pa qartë që pjesëmarrja do të ishte e ulët, aq sa një pjesë e mirë e politikanëve, kryesisht ata të opozitës, bënë disa dalje publike pasdite, ku përsëritën thirrjen ndaj qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës, megjithatë efekti ishte thuajse zero.

86 % e të rinjve braktisën kutitë e votimit
Zgjedhjet lokale të 2013-ës, përpos rikonfirmimit pa surpriza të mazhorancës, nxorën në pah një tjetër fenomen, bojkotin e të rinjve në zgjedhje, ose së paku atyre që votojnë për herë të parë. Nuk ndihmuan kësaj here as FRESSH i PS-së dhe as FRPD i Partisë Demokratike, dy organizatat e mëdha rinore partiake. Në zgjedhjet e së dielës ishin 122.545 persona në listat e votimit që votonin për herë të parë. Pjesëmarrja e tyre në votim la për të dëshiruar, vetëm 16.597 votues. Një përqindje e ulët (as 14%) dhe një dështim më së shumti për politikën shqiptare që po e tërheq këtë kategori me tallava dhe këngë, por jo me ide dhe gjithëpërfshirje. Pjesëmarrja e ulet e tregoi më së miri këtë fakt. Ndonëse një pjesë e kandidatëve dhe kreysisht Belind Këlliçi i “Bashkë Fitojmë” në kryeqytet, targetuan pikërisht votuesit për herë të parë gjatë fushatës, duke përdorur të folurën mbrapsht, si një mënyrë për të ‘thithur” votat e tyre, sërish nuk arritën t’i bindin të rinjtë që të ushtrojnë vullnetin e tyre në kutitë e votimit.

75% e qytetarëve të Vlorës bojkotuan zgjedhjet
Vlora ka qenë gjithmonë bastion i së majtës dhe në këto zgjedhje është rikonfirmuar e njëjta gjë, mirëpo në Vlorë, është pjesëmarrja më e ulët. Kjo ishte një goditje e madhe për Ramën. Sipas KQZ-së, vetëm 24.92 përqind e qytetarëve kanë marrë pjesë në zgjedhje, duke shënuar kështu shifrën më të ulët në të gjitha zgjedhjet. Duket se qytetarët vlonjatë kanë zgjedhur që të mos votojnë, pasi dilema e tyre ka qenë e madhe. Si duket ata nuk kanë dashur që të mbajnë në pushtet një person, që vjen nga një parti që po shfaq shumë arrogancë me votuesit e vetë, por gjithashtu nuk kanë zgjedhur të votojnë një kandidat të ri, që po ashtu vjen nga një parti po aq e korruptuar. Elektorati gri është i madh në Vlorë dhe bojkoti në këto zgjedhje e ka treguar këtë. Qytetarët duket se janë të lodhur nga të njëjtat alternativa dhe më e mira i është dukur ajo e bojkotimit, duke qëndruar në shtëpi dhe duke shijuar atë të dielë. Raportohet se më së shumti kanë votuar të moshuarit dhe punonjësit e administratës bashkë me familjen. Në Vlorë është zgjedhur kryebashkiak Ermal Dredha me 70.55% të votave ndërsa Hysni Sharra ka marrë vetëm 29.45 përqind të votave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu