“Mungoi udhëheqja politike globale”- ishte përfundimi në të cilin arritën 2 autorët kryesorë, Helen Clark, ish-kryeministre e Zelandës së Re dhe Ellen Johnson Sirleaf, ish-presidente e Liberisë, në raportin e botuar këtë javë.
Siç shkruan historiani Niall Ferguson në librin e tij të fundit “Apokalipsi:Politika e katastrofës”, dallimi që bëhet midis katastrofave “natyrore” dhe atyre “të shkaktuara nga dora e njeriut” është shpesh i gabuar.
Ajo që ka rëndësi është mënyrë se si njerëzit i parashikojnë dhe reagojnë ndaj ngjarjeve të tilla, të cilat janë të parashikueshme në frekuencën e tyre, nëse jo në veçantinë e tyre.
Dhe ndërsa mund të jetë joshëse të fajësosh për fatkeqësi të tilla udhëheqësit e paaftë, katastrofat pasqyrojnë gjithashtu një paaftësi më të gjerë shoqërore për t’u përgatitur dhe përgjigjur si duhet ndaj emergjencave të mëdha.
Edhe më shqetësues për këtë dështim, është fakti se njerëzimi do të përballet shumë shpejt me kërcënime edhe më të mëdha. Rreziqet e shkatërrimit të mjedisit, asgjësimit bërthamor, luftës kibernetike, bioterrorizmit dhe inteligjencës artificiale, janë të lehta për t’u parashikuar dhe të tmerrshme kur i mendon.
Por përpjekja për të parandaluar rreziqe të tilla po bëhet më e vështirë,teksa qasja në teknologji të fuqishme po bëhet më e lehtë dhe më pak e kushtueshme. Eliezer Yudkowsky , bashkëthemelues i Institutit të Kërkimit të Inteligjencës së Makinerive, mendon se sot funksionin një lloj alarmi i ndryshëm i Ligjit Mur:koeficienti minimal i nevojshëm i inteligjencës për të shkatërruar botën, bie me nga një pikë çdo 18 muaj.
Mund të jetë një sfidë e madhe, por të paktën disa studiues të zgjuar janë në krah të kauzës sënjerëzimit. Në një studim për Institutin e Ardhmërisë së Njerëzimit në Oksford, Waqar Zaidi dhe Allan Dafoe analizojnë përpjekjet më të hershme për të kontrolluar bombën atomike, duke nxjerrë në pah disa mësime që vlejnë edhe sot.
Me pak fjalë, ata thonë që ne duhet të mbajmë më pak shpresë tek udhëheqësit politikë, që i trajtojnë këto rreziqe me iniciativën e tyre. Dhe duhet të varemi më shumë nga ekspertët shkencorë dhe shoqëria civile, për t’u furnizuar me njohuritë e nevojshme, siç ka qenë rasti me lëvizjen mjedisore.
Zaidi tha në një intervistë se ishte i habitur sesa radikale kishin qenë disa mendime të hershme mbi kontrollin e armëve bërthamore, dhe sa të rëndësishme janë ato për kohën tonë. Shkatërrimi i luftës së dytë botërore dhe kërcënimi i një kataklizme bërthamore, e rritën mbështetjen për krijimin e OKB-së.
Që në vitin 1944, fizikanti danez Niels Bohr, u kishte kërkuar udhëheqësve të kohës së luftës së Britanisë dhe SHBA-së që t’i vendosnin nën kontrollin ndërkombëtar armët bërthamore.
Më vonë, shkencëtarët kryesorë përfshirë Robert Oppenheimer, “babai” i bombës bërthamore dhe Albert Einstein, fizikanti fitues i Çmimit Nobel, argumentuan se energjia bërthamore duhet të përdoret vetëm për qëllime paqësore. Fushata e tyre u mbështet nga publiku, por ndërkohë fituan edhe armiqësinë e establishmentit ushtarak, që i cilësoi ata si politikisht naivë, dhe i klasifikoi si rreziqe të sigurisë kombëtare.
Për një fare kohe, SHBA-ja luajti me një mendim kaq shumë “idealist”, të pasqyruar në Planin Barush prezantuar në Komisionin e Energjisë Atomike të OKB-së që sapo ishte krijuar. Por në një deklaratë “realiste” në Kongresin Amerikan në vitin 1946, Leslie Groves, që drejtoi Projektin e Manhatanit që ndërtoi bombën atomike, paraqiti një zgjedhje befasuese. “Ose duhet të kemi një marrëveshje botërore realisht të zbatueshme, që të sigurojë nxjerrjen jashtë ligjit të armëve bërthamore, ose ne dhe aleatët tanë të besueshëm duhet të kemi një epërsi ekskluzive në terren”-tha ai.
Vendosmëria e Stalinit për të ndërtuar bombën e tij, dhe mosbesimi në rritje ndaj Bashkimit Sovjetik, e nxiti SHBA-në të zgjedhë rrugën e dytë, duke shkaktuar fillimin e një lufte të ftohtë që zgjati për disa dekada. Zaidi tha se nëse shkencëtarët duan të ndikojnë mbi debatin publik, ata duhet të mësojnë se si të mobilizojnë mbështetjen politike.
“Ekspertët e teknologjisë janë shumë të rëndësishëm, pasi ata kanë besueshmërinë dhe nganjëherë edhe famën. Politikanët kurrë nuk duan të dalin përpara opinionit publik, por nganjëherë reagojnë ndaj tij”- theksoi ai.
Teksa vijojnë diskutimet për një luftë të re të ftohtë midis SHBA-së dhe Kinës, dëgjova këtë javë një studiues kryesor të Inteligjencës Artificiale, të jepte alarmin se një garë e re armatimesh vetëm sa do të inkurajonte rezultate më të këqija, dhe do të nxiste thirrjet për njëmbikëqyrje ndërkombëtare.
“Ajo që do të doja unë, është afër një versioni funksional të OKB-së, me një sërë parimesh udhëzuese që duhet të nënshkruhen nga të gjithë lojtarët e mëdhenj”- tha ai. Nëse ekspertët shkencorë “idealistë” të fuqizuar nga shoqëria civile nuk mund t’i bindin për të kundërtën,atëherë politikanët e shpërqendruar kanë gjithmonë gjasa që t’i vonojnë dhe t`i shtyjnë argumentet “realiste”.
Nga John Thornhill- “Financial Times”