Aslan Bzhania, udhëheqësi i Abkazisë – rajonit separatist në Gjeorgji që mbështetet nga Moska – tha më 16 nëntor se është “i gatshëm” të japë dorëheqje nëse mbështetësit e opozitës pajtohen që të largohen nga ndërtesa e Parlamentit, që gjendet në kryeqytetin Sukumi.
Opozita ka bërë thirrje për protesta të reja më 16 nëntor, pasi një ditë më herët protestuesit hynë në ndërtesën e Parlamentit, për të kundërshtuar një marrëveshje për ndërtim me Moskën dhe kërkuan largimin e Bzhanianit.
“Ata që morën nën kontroll ndërtesat, ata që tentuan një grusht shteti, duhet të largohen nga ndërtesa dhe pas kësaj unë jam i gatshëm të thërras zgjedhje të reja, të jap dorëheqje dhe të garoj në zgjedhjet e reja”, tha Bzhania para mbështetësve të tij në vendlindjen e tij Tamish, fshat që gjendet rreth 40 kilometra larg nga Sukumi.