Qytetarë të Tiranës, të zonës së Laprakës, ‘5 majit’ dhe Paskuqanit janë duke protestuar që banesat e tyre të mos shemben, ose ata të marrin dëmshpërblim.
Protestuesit janë zhvendosur drejt ambasadës së SHBA-ve, ku kërkojnë reagimin e ambasadores Yuri Kim, e cila është gjithmonë prezente në debatet politike në Shqipëri.
‘Apel ambasadores së SHBA, që siç je aktive në jetën politike të Shqipërisë, të jesh pak më aktive edhe në ndihmën tonë.
Kërkojmë nga Ambasadorja Yuri Kim, të ndikojë që të ketë reflektim për vendimet e Bashkisë dhe qeverisë.
Nuk po kërkojmë asgjë, thjeshtë të na njihet prona me ligj, që nesër kur të na vijë fadroma, të marrim atë që na takojnë. Të na trajtojnë njëherë të vetme si ‘amerikanë’, siç i respektoni ju qytetarët tuaj.
Duam të jemi edhe ne njëherë, ‘o sa mirë me qenë shqiptarë’. Kërkojmë ndihmën tuaj, zonja Yuri Kim. Ndihma juaj nuk na ka munguar, kërkojmë edhe njëherë ndihmën tuaj’, tha Bled Marku, një nga drejtuesit e protestës së qytetarëve të Tiranës.
‘Aktivizohu të lutem, që të ndihmosh edhe këta protestues që kërkojnë vetëm pronën e tyre.
Ju keni kërkuar peshkun e madh, ku është peshku i madh sepse ju i njihi shumë mirë këta. Këta janë shqiptarë dhe patriotë, le të rrinë peshqit e mëdhenj në Shqipëri, ne po vijmë në SHBA, na jepni vizat’, tha një tjetër banor.