Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaraoi se aktiviteti portual nuk do të ndërpritet në Durrës gjatë fazave të punimit për portin e ri turistik.
Në një deklaratë për mediat, Balluku u shpreh se aksionet shtetërore nuk do të ndryshojnë, edhe nëse kompania private do të shtojë kapitalin ndër vite.
“Pjesëmarrja shtetërore propozohet në nivele të tilla, të cilat nuk shuajnë ose reduktojnë ndjeshëm riskun operacional në ngarkim të investitorit. Pavarësisht veprimeve të aksionerit privat, pra, pavarësisht se ai mund të shtojë kapitalin ndër vite, në bazë të kësaj marrëveshjeje, kuota e aksionerit shtetëror nuk do të cënohet.
Bregdeti, deti përkatës dhe brigjet mbeten prona shtetërore të patjetërsueshme te privati edhe pasi të zhvillohen. Pronat private dhe publike të zonës do të pësojnë rritje vlere të konsiderueshme dhe aktiviteti i portit nuk do të ndërpritet dhe as nuk do të pengohet gjatë fazave të projektit”, theksoi ajo.