Policia që vret edhe njeriun edhe të vërtetën

0

Nuk është hera e parë dhe mjerisht as e fundit që policia tenton që në një ngjarje të rëndë të kryejë njëherësh disa vepra penale:

1. Dhunimin e sekretit hetimor.

2. Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës

3. Mashtrimi

4. Pengimi i drejtësisë

Me veprimet e saj policia kryen edhe një vepër tjetër të rëndë, që nuk parashikohet në kodin penal. Dhunimin e besimit të publikut

Në vrasjen e të riut Klodian Rasha, komunikata e parë e policisë fajëson viktimën dhe sajon gjëra të përbindshme. Asnjë analizë asnjë masë për tentativën për të vrarë edhe të vërtetën. Në ngjarjen e rëndë të Elbasanit disa ditë para zgjedhjeve, ish drejtori i përgjithshëm i policisë gënjen publikisht për ngjarjen. Masa e vetme e marrë është promovimi politik në fillim i prokurorit dhe më pas edhe ish drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Edhe në ngjarjen e sotme, varianti i parë zyrtar, për ngjarjen që çoi në humbjen e jetës së një 32 vjecari, ndryshon nga varianti i dytë i dyti nga i treti dhe varianti përfundimtar…do të dalë, por më vonë në sallën e gjyqit.

Në rastet e rënda, të përsëritura tentativa e parë e policisë është përdhosja e viktimës.

Disa pyetje të thjeshta për ngjarjen e bërë publik sot ku humbi jetën një  32 vjeçar:

Ku janë kamerat e trupit të punonjësve të policisë?

Ku janë kamerat në komisariat?

Cila është baza ligjore e ‘verfikimit të identitetit?

Pse u prangos i ndaluari?

A ka komunikim të patrullës me sallën operative?

Nëse po, kur ka nisur dhe kur ka mbaruar komunikimi?

A është regjistruar biseda?

Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, pas sa kohe nga gëlltitja ka dhënë shenjat e përkeqësimit?

Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’?

Overdoza i jep pasojat pas 2 orësh dhe jo pas 7 minutash apo jo?

A ka patur avokat të familjes apo kryesisht gjatë autopsisë së viktimës?

Kush e ka marrë vendimin për kryerjen e autopsisë?

A është marrë miratimi i familjes për autopsinë?

A është filmuar autopsia?

A është njoftuar prokuroria dhe kur?

A është bërë këqyrja e kufomës? A ka dëmtime, hematoma, të jashtme?

A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?

Pse policia thotë se ‘e dërguam të gjallë, ndërsa spitali thotë: mbërriti i vdekur?

Sa herë ka ngjarje të rëndë me viktima ku përfshihet policia viktima e radhës është e vërteta. Ndoshta është koha që komunikatat për ngjarjet e rënda t’i hartojë prokuroria ndërsa atyre që kanë hartuar deri më tani komunikatat e policisë u duhet kujtuar një thënie nga Buda. ‘Tri gjëra nuk mund të mbash fshehur për një kohë të gjatë. Diellin, Hënën dhe të vërtetën.

E vërteta për ngjarjen e Klodian Rashës, pavarësisht mashtrimit të policisë u mor vesh brenda 24 orësh, e vërteta për ngjarjen e rëndë të Elbasanit u mor vesh pas 48 orësh në sallën e gjyqit. E vërteta për ngjarjen e bërë publik sot do të merret vesh nesër.

Dita e parë e ngjarjes është 1 prilli i policisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu