Shkruan Zef Ndreka
Është futur loja politike në një kurth të poshtër e të çuditshëm, pikërisht nga paaftësia e lidërve dhe mendjelehtësia e militantëve që pranojnë të përdorën, të mashtrohen, të gënjehen lehtësisht nga adhuruesit e tyre. Në vend të programeve dhe alternativave, partitë politike në Shqipëri i kanë dhënë rëndësi dhe kanë shpikur patronazhistët, kanë përcaktuar rregullat e detyrat që këto patronazhistë kanë për të zbatuar.
Patronazhistë nuk ka vetëm PS-ja që i pranon dhe i konsideron përcaktues në fitorën e tyre në betejat elektorale, si në ato vendore ashtu dhe në ato parlamentare. Sepse patronazhistët janë si muzhikët, janë tipikë bolshevikë.
Por patronazhistë të tillë kanë edhe partitë e tjera, dhe me shumicë madje. Ka Foltorja, PD-ja e Bashës, dhe ndonjë parti tjetër kryesisht e majtë.
Patronazhistët nuk janë njerëz të lirë, janë njerëz të rrjeshtit dhe të sherrit. Janë njerëz të manipulueshem dhe lehtësisht të përdorshëm.
Sot në Shqipëri patronazhizmi është shndërruar në prerogativ e status-quo.
Trendi i tyre është në rritje dhe me synime djallëzore mediokre për përfitime të vogla mbijetese.
Aspak habi nuk do jetë që shumë shpejt po vazhdoi kështu, patronazhizmi nga trend do të marrë trajtë akademie(!) e të shërbejë në civinë e kujtdo nesër të angazhuar socio-politikisht! S’ka nevojë as për kameleontim sepse në ditën për diell kjo kastë politike, pra edhe e majta PS edhe e djathta-e majtë PD, thurin elozhe për punën rigoroze që bëjnë këta shqytarë për ta. Duke share e ofenduar, duke spiunuar, duke shkuar çdo natë poshtë ballkonit etj.
Duhet theksuar se shqytarët janë ca lloje luftëtarësh që mbajnë shqytin dhe “armët e kalorësit”, pra të kryetarit të partisë. Këto janë luftëtarë të lashtë të koheve “moderne demokracie” pa mburojë, por që nuk e dijnë apo nuk e besojnë se kanë titullin më të ulët të fisnikërisë si njeri.
I njohim me emra e mbiemra, iu njohim “bëmat” që bëjnë duke mos arritur asnjëherë të çlirohen nga diktatet politike…
Sa të ketë shqytarë ky vend, nuk do ketë demokraci!