Bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Ajola Xoxa i është drejtuar togave të zeza me një kërkesë të papritur për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar që të mos paraqitet më në Shërbimin e Provës.
Ajo akuzohet si person i dyshuar për kryerjen e disa veprave të rënda penale dhe ndaj saj është dhënë masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur”.
Megjithatë, Ajola Xoxa kërkon nga Gjykata e Posaçme që të mos paraqitet më për verifikim, duke kërkuar nga trupa gjykuese zëvendësim të masës, për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore gjatë shtatzënisë.
Ajo dhe kryebashkiaku Erion Veliaj janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë dhe ndodhen në rrethana të pazakonta, për shkak se prej më shumë se një viti i pari i Tiranës është në qeli, kurse ajo nën akuzë në të njëjtën dosje me të dhe në detyrim paraqitje.
Gjykata e Posaçme ka zhvilluar këtë të martë seancën e radhës për gjyqin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa një debat në sallë mes avokatit mbrojtës dhe prokurori Ols Dado, ka nxjerrë në publik mjaft elemente të rinj.
Prokurori Ols Dado ka treguar se çfarë u ka thënë kryebashkiaku oficerëve që kanë shkuar në qeli për t’i dorëzuar Erion Veliajt aktet e dosjes, duke zbuluar edhe një fakt të panjohur më parë; se Ajola Xoxa ka abortuar dy herë vitin e kaluar.
“Oficeri më pas ka kontaktuar me drejtues të IEVP Durrës, oficerët kanë filluar t’i sqarojnë Veliajt se përse ndodhen aty, ai ka folur me fjale fyese, ka akuzuar se më keni shkatërruar familjen. I është drejtuar hetuesit duke i thënë ‘ky pis më ka shkatërruar familjen, abortin e dy fëmijëve të mi nuk kam për të ua falur”, është shprehur në gjyq prokurori Ols Dado.
Aktualisht, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa është në javët e fundit të pritjes së fëmijës së dytë me Erion Veliaj, duke lënë të kuptohet se periudha e abortit ka ndodhur shumë më përpara kësaj periudhë, ndoshta kur ai nuk ishte arrestuar ende.



