Ofendime për Borrellin pas deklaratës ku fajësoi Kosovën për ‘dështimin’ në Bruksel  

0

Pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dje fajësoi Kosovën dhe Kryeministrin Albin Kurti për mosarritjen e marrëveshjes në Bruksel për çështjen e targave, reagime të shumta ka pasur nga vetë pushteti të cilët kanë kritikuar, por edhe fyer Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Presidentja e Kosovës, e akuzon për njëanshmëri të hapur Berrellin, ndërsa tha se agresori ndjehej i akomoduar dhe se kishte prezantim të një realiteti të shtrembëruar.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi Osmani.

Presidentja Osmani tutje shkroi se sikur Borrell “t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit”, në vend se ta akuzonte Kosovën, do t’ia përmende Serbisë ndonjë prej marrëveshjeve të shkelura të Brukselit, teksa renditi 15 prej tyre.

Kontradiktore atë çka u kërkua dje në takimet 8 orëshe në Bruksel, e cilësoi shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.

Kërçeli tha se “kur të gjithë pritën që zgjidhja e krizës se tabelave të jetë si hap i parë për marrëveshjen e normalizimit të plotë, nga Kosova u kërkua konstruktivitet ekskluzivisht vetëm për targa dhe fare diskutim për marreveshjen e madhe”.

Por, ashtu si kreu i Qeverisë, u shpreh edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se vetë ndërmjetësuesi që solli propozimin, e që afati për këtë marrëveshje ishte 2023, hoqi dorë.

Por, nuk munguan as fyrjet në drejtim të Borrellit, pas deklaratës së djeshme, e që një e tillë erdhi sot nga deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, i cili në llogarinë e tij në Facebook shpërndau një fotografi të Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ndërsa e shoqëroi me përshkrimin “Vorreli”.

Elvis Hoxha, këshilltar i Kryeministrit Kurti, njëherit dhe anëtar i VV-së, nuk ngurroi të vë në funksion arsenalin e tij të anektodave dhe shprehjeve ndaj Borell-it, pasi nuk kaloi kohë gjatë kur Hoxha e quajti Borrellin, “Bordel”.

“Ti nuk mundesh, …edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh”, e rifunksionalizoi shprehjen e famshme të Albin Kurtit të vitit 2020 që asokohe e pat përdorur ndaj ish-ministrit të brendshëm Agim Veliut pas shkarkimit të këtij të fundit – thënie kjo e preferuar dhe e shumëthënë nga mbështetësit e VV-së si frazë “catchy“.

Kjo thënie “vlen edhe për Përfaqësues të Lartë”, shkroi Hoxha.

Se Kurti nuk do të “lëshonte pe”, e tha deputeti po nga radhët e VV-së, Artan Abrashi, i cili madje, si shembull mori edhe rastin nëse Borrell dhe Vuçiq do të kishin pendrek me revole me vete.

Fushata nga aktivistët e VV-së nuk mungoi as gjatë ditës së djeshme në rrjete sociale, e cila nisi qysh kur palët po vazhdonin takimin në Bruksel, me hashtag-et “meKryeministrin” si dhe “RKS”.

Sot gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga dje, kur kritikoi Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell për rolin e tij në bisedimet e djeshme në Bruksel, nuk ka pasur komunikim me të.

Ai ka përsëritur edhe një herë kritikat e tij për Borrellin, duke thënë se ai e braktisi propozimin franko-gjerman duke kërkuar dakordim vetëm për targat.

Kurti ka thënë se bisedimet tani me Brukselin rreth çështjes së targave po i bën SHBA-ja, teksa ka falënderuar ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për siç ka thënë Kurti rolin e tij “konstruktiv” në këtë proces.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier kërkoi nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që afati për masën e gjobave 150 euro të shtyhet edhe për 48 orë, gjë që e cila u aprovua nga kreu i ekzekutivit, dhe kjo masë gjen zbatim paraditen e 24 nëntorit( e enjte)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu