Një ditë e zakonshme (tregim nga Gabriel Garsia Markez)

0

Tregim nga Gabriel Garsia Markez

E hëna u gdhi e ngrohtë dhe pa shi. Don Aurelio Eskobari, dentist pa diplomë dhe nga ata njerëzit që ngrihen herët, në orën gjashtë e hapi klinikën. Nxori nga rafti prej qelqi një protezë dhëmbësh, ende të vendosur në kallëpin e allçisë dhe vuri mbi tryezë një grusht instrumentesh, të cilët i renditi nga më i madhi te më i vogli, si në një ekspozitë. Kishte veshur një këmishë me vija, të mbërthyer deri sipër me kopsa të praruara, dhe pantallona me tiranda llastiku. Ishte i rreptë, i thatë, me një vështrim që rrallë herë i përshtatej situatës, si vështrim shurdhësh.
Pasi i vendosi gjërat mbi tryezë, rrotulloi frezën drejt kolltukut me susta dhe u ul për të pastruar protezën. Dukej sikur nuk e kishte mendjen tek ajo çka po bënte, ama punonte me gjongul, duke i dhënë pedalit së frezës edhe kur ajo nuk i duhej.
Kur kaloi ora tetë, bëri një pushim. Doli te dritarja për të parë qiellin dhe vuri re nja dy bufër të mendueshëm që po shullëheshin mbi kulmarin e shtëpisë fqinje. Ia nisi prapë punës me idenë se, pasi të hante drekën, do të fillonte shiu. Zëri i çakorduar i të birit njëmbëdhjetë vjeçar e nxori nga mendimet.
– Babi.
– Hë?
– Ka ardhur kryetari dhe thotë që t’i heqësh dhëmballën.
– Thuaji se nuk jam këtu.

Ishte duke pastruar një dhëmb floriri. E shtyu në largësinë e krahut dhe po e vërente me kujdes duke e mbyllur njërin sy. Nga salloni i pritjes i biri bërtiti përsëri:

– Ai thotë që je aty, sepse ta dëgjoi zërin.
Dentisti vazhdoi të merrej me dhëmbin. Vetëm kur e mbaroi dhe e vuri mbi tryezë, te sendet e tjera, tha:
– Epo, akoma më mirë.
U kthye të merrej me frezën. Nga një kuti kartoni, ku mbante gjërat që bënte, nxori një urë dhëmbësh me pjesë të ndryshme dhe filloi t’i lustronte pjesën prej ari.
– Babi.
– Hë? – ia bëri, pa e ndryshuar fare shprehjen e fytyrës.
– Thotë se, po nuk i hoqe dhëmballën, do të të fusë një plumb.
Pa u nxituar fare, me ca lëvizje mjaft të qeta, e la së pedaluari frezën, e shtyti mbrapa kolltukun dhe e hapi plotësisht sirtarin e poshtëm të tryezës. Atje ishte revolveri.
– Mirë, – tha. – Thuaj të vijë e të më qëllojë.
E rrotulloi kolltukun derisa u kthye me fytyrë nga dera dhe dorën e mbështeti te sirtari ku ishte revolveri. Kryetari u duk te pragu i derës. Faqen e majtë sapo e kishte rruar, ndërsa në tjetrën, të ënjtur e të dhembur, kishte një mjekër pesëditëshe. Dentisti dalloi në sytë e tij të mekur vuajtjen e disa netëve të pagjume. E mbylli sirtarin me majat e gishtave dhe i tha butësisht:
– Uluni.
– Mirëdita, – tha kryetari.
– Mirëdita, – tha dentisti.

Ndërkohë që po përvëloheshin instrumentet, kryetari e mbështeti kokën te mbështetësja e karriges së pacientit dhe sikur u ndie më mirë. Ajri që thithte i dukej si i akullt. Ishte një klinikë e varfër: një karrige e vjetër prej druri për pacientët, freza me pedale dhe një raft qelqi me shishka ilaçesh. Përballë karriges, një dritare me perde pëlhure deri në gjatësinë e një njeriu. Kur ndjeu se dentisti po i afrohej, kryetari i shtrëngoi fort thembrat e këmbëve për dyshemeje dhe hapi gojën.

Don Aurelio Eskobari ia ktheu fytyrën nga drita. Pasi i pa dhëmballën e sëmurë, ia shtypi nofullën e ënjtur me kujdes me dy gishtat e dorës.
– Duhet ta heqim pa anestezi, – i tha.
– Pse?
– Sepse ka një absces.
Kryetari e shikoi në sy.
– Mirë, – tha dhe u mundua të buzëqeshte.
Dentisti nuk ia ktheu buzëqeshjen. Çoi në tryezën e punës tenxheren me instrumentet e ziera dhe i nxori andej me një pincetë të ftohtë, gjithnjë pa u nxituar. Pastaj rrotulloi pështymoren me majën e këpucës dhe shkoi të lajë duart në legen. Gjithçka e bëri pa parë nga kryetari, ndërsa ky vetë nuk e shihte vështrimin e tij.
Ishte një dhëmballë pjekurie në nofullën e poshtme. Dentisti hapi këmbët dhe e mbërtheu dhëmballën me darën e nxehtë. Kryetari u kap fort pas mbajtëseve të karriges, e shpuri gjithë fuqinë e tij te këmbët dhe ndjeu se në veshka iu bë një zbrazëti e akullt, por e mbajti veten e nuk lëshoi asnjë psherëtimë. Dentisti lëvizi vetëm kyçet e duarve. Pa inat, më mirë me një ëmbëlsi të hidhur, tha:

– Këtu paguhen të gjitha, toger.

Kryetari ndjeu një gërvimë kockash në nofull dhe sytë iu mbushën me lot. Por nuk psherëtiu e as rënkoi, derisa ndjeu të shkulet dhëmballa. Kur dhëmballa doli jashtë, e pa përmes lotëve. Iu duk aq e çuditshme dhimbja e saj, sa nuk mundi ta kuptonte dot torturën e pesë ditëve dhe netëve të shkuara. I përkulur mbi pështymore, i mbytur në djersë dhe duke gulçuar, zbërtheu xhaketën ushtarake dhe me gishtat e dorës kërkoi shaminë në xhepin e pantallonave. Dentisti i dha një pecetë të pastër.
– Fshiji lotët, – i tha.
Kryetari ashtu bëri. Po dridhej i tëri. Ndërkohë që dentisti lante duart, pa tavanin copë-copë dhe një cergë merimange të pluhurosur, mbushur me vezë merimange dhe me insekte të ngordhur. Dentisti u kthye duke fshirë duart.
– Duhet të rrish shtrirë, – i tha, – dhe të bësh gargarë me ujë të kripur.
Kryetari u ngrit, e përshëndeti me një ftohtësi prej ushtaraku dhe u drejtua nga dera me hapa të shtrirë, pa e mbërthyer më xhaketën ushtarake.
– Ma kalo llogarinë, – tha.
– Kujt, juve apo komunës?
Kryetari nuk ia hodhi sytë. Mbylli derën dhe me shpinë nga kangjellat metalike tha:
– Është e njëjta gjë.

(Në shqip: Bajram Karabolli)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu