Nga krijimtaria e Lefter Çipës: Seç kam një merak!

0

SEÇ KAM NJË MERAK

Lefter Çipa

Seç kam një merak,
Merak me vetvete,
Dhe pse i ri jam,
Kam të tjera qejfe.
S’dua fluturak,
Nëpër degë e gjethe,
Qejfi im që kam,
Dua pranë pleqve.

Dua pranë tyret,
T’u dëgjoj legjendat,
Kur fjala u krihet,
Fjala u shton degat.
Mallet më lart ngrihen,
gjerësohen detet,
Qielli i tërë shihet,
Dheu në vend mbetet.

Duke ndezë çibuqet,
Tym u nxjerr kujtesa,
Njëri nis e tundet,
Tjetrit i ndez eshka.
Llafi në llaf futet,
Shpejt e zgjuhet bleta,
Aty nga koburet,
Bie dhe trumbeta.

Vetullat u rriten,
Mustaqet zjarr marrin,
Balli me djersë mbytet,
Xhamadanët hapen,
Gjaku seç u zien,
Janë pleq që plaken,
Shpejt në valle hidhen,
Valet si lumë zgjaten.

Zëri gjëmim-mbushur,
Gjuha u pret lisa,
Buza duke ndukur,
Kërkon të zërë prita,
Kënga e këputur,
Zbrazet nga gryka,
Dheun duke puthur,
Me shikim nga drita.

Atje unë dua,
Të jem në mes tyret,
Se atje për mua,
S’eret, por veç gdhihet,
S’dua të bëj gjumë,
Për gjumë s’më flihet,
Se me pleqtë më shumë,
Muhabeti kripet.

Në jam djalë në moshë,
Shpirtin e kam pjekur,
Dhe mëndjen e hollë,
ligjërim kam veshur,
Ndaj i dua pleqtë,
T’u vjel mënçuritë,
Se shpejt dhe vetë,
E pres pleqërinë.

Pse kush s’është plakur,
Kur shkon djalëria,
Kush nuk është falur,
Kur bije fuqia?!
Aty midis pleqve,
U plakça një ditë!
Midis melaqeve,
Dritë më paçin sytë!

Botohet për herë të parë
Nga fondi dorëshkrimor i poetit
Himarë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu