Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën për të diskutuar me Presidentin e SHBA Donald Trump tarifat e shpallura së fundmi 17% për mallrat izraelite. Siç raportohet të dy liderët do të diskutojnë çështjen e tarifave, përpjekjet për të kthyer pengjet dhe marrëdhëniet Izrael-Turqi gjithashtu edhe kërcënimin iranian dhe luftën kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Fillimisht u raportua se të dy udhëheqësit ka të ngjarë të diskutojnë gjithashtu luftën në Gaza dhe krizën bërthamore të Iranit. Ky do të jetë udhëtimi i katërt i Netanyahut në Uashington që nga fillimi i luftës në Gaza dhe i dyti që kur Trump mori detyrën në janar. Netanyahu është lideri i parë i huaj që ka negociuar personalisht me Trump mbi politikën e re gjithëpërfshirëse të tarifave të presidentit amerikan.
Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA, Tammy Bruce tha të premten se sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio foli me Netanyahun për të nënvizuar mbështetjen e SHBA për Izraelin. Ata diskutuan situatën në Gaza dhe vendosmërinë e qeverisë për të liruar pengjet në Gaza dhe tarifat e shpallura së fundmi. Trump kishte folur gjithashtu me përfaqësues nga Izraeli, India dhe Vietnami për të negociuar marrëveshje tregtare që mund të lehtësonin tarifat e propozuara mbi ato vende përpara se taksat të hynin në fuqi në ditët në vijim.
Vizita e Netanyahut vjen në një kohë kur duket se ka pak shanse për një marrëveshje të re armëpushimi me Hamasin në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite po rrit operacionet, dhe ndërsa tensionet mbi programin e energjisë bërthamore të Iranit janë përshkallëzuar. Presidenti amerikan, i cili ka kërkuar që Teherani të negociojë për programin e tij bërthamor, ka kërcënuar ditët e fundit se do të bombardojë Iranin nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.