Ne të hekurave dhe ata të Lirisë

0

Turma bashkon gjymtyrët dhe mendjet e veta zero, duke u kthyer në një qen të tërbuar, me shumë koka që komandohen nga urrejtja e verbër e liderit dhe sa çel e mbyll sytë hidhen mbi njeriun dhe e bëjnë copë e grimë.

Shkruan Zija Vukaj

“Lirinë e keni ju; na hekrat kemi.

Na terr e mjegull deri në ditt ma të vona; Na pa emën kërkund, pa atdhe; na jemi Shërbtorët e t’huajvet nëpër vendet tona.” (N.Mjeda, “Liria”) Gjithë këto kohët e fundit jemi përfshirë me ose pa dashje në vorbullën e një realiteti absurd e plot ankth. Ankth për vete, ankth për familjet tona, për fëmijët, të rinjtë, pleqtë, vendin, të ardhmen etj. Një ankth i prodhuar nga politika dhe politikanët tanë, të cilët krahas një mijë mëkateve, krimeve dhe dëmeve që i kanë sjellë qysh në agun e viteve ’90 Shqipërisë, kanë krijuar një dëm të padukshëm, i cili është më i madhi- kanë projektuar tek çdo individ i popullit tonë fytyrën e tyre kriminale.

Nuk ka fytyrë politikani, sado zullumqar, pervers, kriminal, paranojak, i dhunshëm, i babëzitur, që të mos ketë matrioshkat e veta në çdo fshat apo qytet. Ithtarë të shkretë, injorantë e agresivë, që nuk e kanë për gjë të djegin, të shajnë, të qëllojnë, të nxjerrin këngë për idhujt e tyre. Zihen përditë dhe motoja e shamatave është: “Krimineli im është më i mirë se krimineli yt; ai i yni ka vjedhur para këtij tuajit, votat jua mësuam ne se si të vidhen; ne e mbollëm, po ju e mbushët vendin me kanabis; ne nuk do t’ju lejojmë; ne nuk ju pyesim… etj”. Ky inregralizim i popullit të pafajshëm mund të prodhojë gjithçka. Sepse turma është një përbindësh i manipuluar dhe i programuar ontologjikisht me të gjitha qejfet, simpatitë, antipatitë, dashuritë, urrejtjet e idhujve të tyre pa krena. Edhe gjuha e turmës është gnomike, gjuhë programacioni që ka lindur në kokat e shkreta të këtyre idhujve. Turma hakërrehet njësoj si lideri, tallet si ai, përqesh si ai, sulmon si ai, pështyn si ai, zgërdhihet si ai. Në një pasazh të romanit “Lufta dhe paqja” të Tolstoit jepet një turmë e eksituar që e kishte marrë eksitimin nga lideri, një ushtarak, i cili, sapo sheh një burrë në derën e një shtëpie, ndërsen kundër tij turmën.

Turma bashkon gjymtyrët dhe mendjet e veta zero, duke u kthyer në një qen të tërbuar, me shumë koka që komandohen nga urrejtja e verbër e liderit dhe sa çel e mbyll sytë hidhen mbi njeriun dhe e bëjnë copë e grimë.

Befas udhëheqësi ushtarak vë re se ai burri i gjorë nuk kishte qenë njeriu për të cilin dyshonte, dhe i thërret turmës të tërhiqet. Turma tërhiqet, por nga burri i gjorë nuk kishte mbetur më asgjë. Tani të shohim realitetin tonë. Kush e ka lirinë? Kush i ka hekurat? E sigurt është se lirinë e kanë ata dhe hekurat i kemi ne. Liria e tyre është e pakufizuar: liri për të marrë të gjitha pronat e atdheut, liri për të blerë gjërat më të shtrenjta, liri për të shkolluar jashtë shtetit fëmijët, liri për të zaptuar bregdetin, alpet, tokën ajrin. Lirinë për t’i thënë tjetrit: “të fluturoj nga puna”, a thua se po i flet një njeriu të depersonalizuar që ky padroni ka veti ta kthejë në shpend, t’i vërë flatra, si në fantazmagoritë e Dino Buzatit etj., etj. Atyre u duhet shumë pushtet. Atyre u duhet të rrinë gjithmonë në pushtet. Atyre u duhet marrë pushteti me dhunë prej atyre që kanë filluar t’u lehtësohen thasët e parave të vjedhura nga mospasja për disa kohë e pushtetit. A thua ata grinden se e duan më shumë se ne të tjerët atdheun; se janë më të kulturuar se të tjerët dhe se ne nuk e kuptojmë progresin. A thua janë ata të vetmit atdhetarë, kushdo qofshin.

Po ne të hekurave, çfarë po bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë?

Ne të hekurave, sapo të shahemi e të shajmë, sapo të godasim e të goditemi, të djegim e të digjemi me shpresë se do të na japë shefi të paktën një mirënjohje, ikim nëpër shtëpitë tona, u tregojmë të vegjëlve bëmat tona heroike dhe të nesërmen u drejtohemi punëve tona modeste, bukës sonë të përditshme për të mundur të mbijetojmë e të vazhdojmë zinxhirin e trashëgimisë. Ata të lirisë nuk i gjen gjë, dinë të ndezin zjarrin, të fshihen, të fërkojnë duart, si në ato vargjet: “Sa shpejt bre burra/ kthyet nga Qabeja/ ne dogjëm duart/ ju vrap n’gështenja” Por së fundi: a është gabim/ mirë të bëhen zgjedhje? A është gabim/ mirë të anullohen? A është gabim/ mirë, të digjen mandatet? A është gabim/ mirë të digjet një shkollë? A është gabim/ mirë të bëhet fushatë elektorale në një klimë urrejtjeje? A është gabim/ mirë të ndërsehet turma nga çdo lloj politikani? Etj., etj., etj.

Çfarë kam në dorë unë?

Në qofsha votues apo në qofsha abandonues, kokën e kam mbi supet e mia dhe nuk ka kokë të nxehur politikani që më komandon drejt ofendimit të tjetrit, agresionit ndaj tjetrit, drejt dhunës apo paragjykimeve. Nuk bie në kurthin e atyre që kanë të gjitha liritë dhe nuk u mjaftojnë, por duan edhe lirinë time.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu