Ndërron jetë dramaturgu e shkrimtari i shquar Fadil Kraja

0

Fadil Kraja, shkrimtar, dramaturg, autorë këngësh dhe ish-akademik, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Lajmin e konfirmon Teatri Migjeni në Shkodër, përmes një njoftimi ngushëllues për humbjen e tij, ku dhe bën me dije se homazhe për Fadil Krajën do të zhvillohen ditën e nesërme.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se vdiq në moshën 91-vjeçare, shkrimtari e dramaturgu i shquar shqiptar, ‘Kalorsi i urdhërit së Skenderbeut’, ‘Mjeshtri i Madh’, ‘Krenaria e Qytetit’, Fadil Kraja. Homazhet për këtë figurë të shquar zhvillohen nesër, me datë 19 , nga ora 9-12, në hollin e teatrit ‘Migjeni’. Teatri ‘Migjeni’ i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe gjithë komunitetit të artistëve! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! U prehsh në paqe Fadil Kraja”, thuhetnë njoftimin e teatrit “Migjeni” në rrjetet sociale.

Fadil Kraja përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Filologjisë. Për shumë vite punoi si mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe më vonë pedagog i letërsisë së huaja në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër. Nga viti 1972 gjer më 1992, shkrimtar në profesion të lirë duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës. Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh”, vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Fajin e kishte Besa”.

Mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diaspore. Mes tyre: “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Luani i shtëpisë”, “Çështje familjare” si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash, operetash.

Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu