Muzika dhe poezia e “Shtëpisë së Shqiptarëve” në kryeqendër të Lombardisë

0

Shkruan Ndue Lazri

Nga veprimtaria në Konsullatën Shqiptare në Milano.Këngëtari Bahri Rustja mbush mushkëritë me ajër dhe pastaj tingujt e këngës së fuqishme “Për Ty,Atdhe” mbushin atmosferën në sallë e duket sikur fluturojnë tej, mbi pallatet e larta milaneze e më tutje drejt alpeve në horizont. Në sallë pjesëmarrësit duket sikur e kanë mbajtur për një çast frymëmarrjen e kënga është gati të shpërthejë edhe nga gjokset e tyre. Për Ty, Atdhe. Cilin nga të pranishmit nuk e emocionojnë fjalët e tingujt e kësaj kënge? Në to janë malli, dashuria dhe krenaria për Atdheun që është larg.


Por ja që janë edhe ca metra katrore tokë këtu në kryeqendrën e Lombardisë, që i përkasin Atdheut tonë, është edhe një ndërtesë me flamurin shqiptar në ballkon, që është bërë shtëpia e shqiptarëve në Itali. Dhe ku të gjithë emigrantët që vijnë për nevojat e veta, ndihen në shtëpinë e tyre. Është Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, të cilës stafi i saj dhe Konsullja e Përgjithshme, Anila Pojani i kanë dhënë ngrohtësinë e një vatre, ku çdonjëri pritet me buzëqeshje e me dashamirësi.


Këtë të shtunë, në prag të Festës së Flamurit, kjo ngrohtësi, kjo mikpritje, kjo dashuri njerëzore, ndihen më shumë se kurrë. Në bashkëpunim me stafin e konsullatës kemi organizuar veprimtarinë tematike “Festa e Flamurit në magjinë e poezisë dhe muzikës”. E stafi ka bërë gjithçka që veprimtaria të kthehet vërtetë në një festë të bukur.


Pas këngës “Për Ty, Atdhe”, konsullja e përgjithshme, Anila Pojani, del përpara me mikrofon në dorë dhe si një zonjë shtëpie dinjitoze iu uron pjesëmarrësve mirëseardhjen. Madje në urimin e saj bashkohet zëri i gjithë punonjësve të stafit, që janë të pranishëm aty në radhë të parë. E në zërin e saj, jehon edhe zëri i konsullit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës Diamant Kastrati dhe i stafit të konsullatës kosovare, që janë aty përbri, gjithnjë në radhë të parë. Si dy krahët dhe dy kokat e shqiponjës, qëndrojnë ashtu pranë e pranë, të bashkuar në të njëjtën ndërtesë, në të njëjtën sallë, si për të thënë: Shqipëria e Kosova janë gjithnjë bashkë, janë një popull, janë një komb. E si për ta forcuar më shumë këtë ide, edhe Diamanti i përshëndet të ardhurit si një zot shtëpie.


Për të marrë pjesë në këtë veprimtari kanë ardhur shkrimtarë e artistë nga Milano e rrethinat e saj, nga Trentino e nga Brescia, nga Alessandria e Piacenza, nga Modena e Parma etj. e në atmosferën e festës alternohen harmonishëm poezia e muzika, dy gjini artistike që kanë shtegtuar pranë e pranë edhe në shpirtin krijues të shqiptarit. Ka të pranishëm edhe italianë, që janë lidhur e bashkuar natyrshëm me shqiptarët gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit. Biagio Fortinin, me aparatin fotografik në dorë e kemi parë në sa e sa aktivitete të shqiptarëve, duke bërë kronikën fotografike. Edhe këtu ai ka ardhur me bashkëshorten e tij, poeten shqiptare Irma Kurti. Renzo Bonafini, mjeshtri i pasionuar i motorrave në Rovereto, që në çdo festë tonën vesh kostumin tradicional shqiptar, ka ardhur me bashkëshorten e tij, Nereida Xhakolli, që është relatore në këtë veprimtari. Sopranoja e talentuar, Daniela Sannicolò nga Rovereto, është mikja jonë e afërt dhe herë pas here na nderon me zërin e saj të veçantë duke interpretuar pjesë nga majat e lirikës italiane e botërore.


Flasim për poezinë e poetes Rudina Muharremi Beja e veçanërisht për librin e saj të fundit e të suksesshëm “Perdet e shpirtit” e duket sikur vargjet e cituara ndalen në shpirtin e secilit pjesëmarrës, që i presin me duartrokitje. Rudina reciton edhe një poezi të sajën, atë me titull “Atje” me të cilën, siç shkruan studiuesi dhe kritiku i artit Ndue Shabaku, para një jave në një konkurs në Brescia, fitoi çmimin e dytë midis treqind poezive konkuruese. Ende nuk kanë përfunduar së shpërndari në ajër jonet e kësaj poezie, kur ato shoqërohen nga jonet e një melodie me flaut, nën gishtat delikatë të elegantes Monika Bekolli. Janë tingujt e këngës “Luleborë”, që aq hollë e shpërndan ndjenjën e dashurisë, ashtu siç ka ditur t’i këndojë shpirti i krijuesit shkodran.


Bashkë me relatoren Nereida Xhakolli flasim rreth romanit të ri të shkrimtares “Lumturi Plaku”, me titull delikat luleje “Margarita”. Një libër ku autorja e trajton në mënyrë shumë origjinale dashurinë e një vajze emigrante shqiptare me një të ri nga familje tradicionale italiane, me të gjitha sfumaturat herë romantike e herë dramatike që mund të ketë një histori e tillë. Dhe fill pas kësaj, si për t’i dhënë jehonë kësaj historie në sallë hyn kompozitori i famshëm italian Giaccomo Puccini, nëpërmjet zërit të sopranos Daniela Sannicolò, që këndon një nga ariet e bukura ku mjeshtri italian i këndon pikërisht dashurisë.


Dhe ndërsa tingujt e lirikës shuhen dalëngadalë, duket sikur nga Alpet zbresin tingujt e epikës që vjen e përcjellë në kostumet mirditore dhe në tingujt e çiftelive të tetë burrave mirditas. Është grupi i këngëtarëve mirditorë që kanë ardhur nga Alessandria të bashkuar nga bajraktari i Kthellës Gjon Mëlyshi dhe kolegu i tij Anton Mirditori. Tingujt e këngës së njohur “Për liri s’të fal shqiptari”, duket sikur e kanë marrë rrugën që nga skena e festivalit të Gjirokastrës e kanë ardhur deri këtej në Alpet sipër Lombardisë,për të treguar se shqiptari e ka lirinë po aq të shtrenjtë sa jetën. E cila këngë mund ta evokojë më bukur luftën e shqiptarëve drejt Pavarësisë dhe atë për mbrojtjen e lirisë?

Tek komunikonim gjatë ditëve të përgatitjes së kësaj veprimtarie me komisaren e diasporës Luljeta Çobanaj, e pagëzuam këtë grup edhe me emrin “Rapsodia mirditore”.
Me poeten Irma Kurti, autore e 27 librave në shqip, 22 në italisht, 15 në anglisht, e përkthyer në 14 vende dhe fituese e më shumë se 80 çmimeve në Itali e në Zvicër, flasim rreth poezisë së saj. Pastaj me zërin e saj të butë ajo përcjell bukurinë dhe brishtësinë e disa prej poezive, të cilat flautistja Monika i mbështjell me magjinë e tingujve të melodisë “Love story”.
Poezia dhe muzika shkrihen harmonishëm edhe me botën e ngjyrave. Prej disa ditësh ambientet e konsullatës janë zbukuruar me më shumë se 20 vepra të piktores Elona Marika, të cilat pjesëtarët e stafit të konsullatës i kanë ekspozuar me përkujdesjen e atyre që do të hapin një ekspozitë të vërtetë arti. Flasim me Elonën për krijimtarinë e saj të penelit dhe ajo shpalos me pak fjalë magjinë e ngjyrave që di të derdhë në tabllotë e saj. Pastaj përsëri muzikë.


Ja tek afrohet një e re, që për nga shtati u ngjan atyre çetinave të bjeshkëve. E nga vështrimi duket se është nga ato zanat “që të marrin gjak në vetull”. Fatma Mema është një e re që merret me sport, si karateja ku ka fituar edhe “Rripin e Zi” në garat që ka zhvilluar, si dhe me kick boxing, ku tregohet mjaft e suksesshme në ndeshjet që zhvillon. Por kjo zanë “që të merr gjak në vetull”, ka edhe një shpirt delikat, që i shkon aq për shtat bukurisë së saj fizike. Ajo krijon këngë dhe ndonëse është ende në fillimet e saj (ka realizuar 4 këngë), një shtëpi diskografike në Milano ka shfaqur interes që ta afrojë për ta ndjekur në rrugën e saj të artit. E kjo në një vend si Italia e muzikës së madhe nuk është diçka e vogël.


Si pa kuptuar kalojnë 3 orë e pastaj të zotët e shtëpisë na ftojnë të kalojmë në ambientet e tjera, ku është përgatitur një katering-bufe shumë i pasur, me shumë elegancë e me shumë shije. Aty vazhdojmë të bisedojmë, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të bëjmë fotografi me anëtarë të stafit e me artistët pjesëmarrës. Konsullja e Përgjithshme Anila Pojani, në një moment thërret Mozën për të bërë sëbashku një foto. Pastaj ajo dhe anëtarët e stafit bëjnë foto edhe me të gjithë artistët e tjerë pjesëmarrës. Madje atmosfera bëhet edhe më gazmore e kalohet edhe në shaka si ato që bën miku ynë Xhemal Hyzoti, duke krijuar humor. Ndërsa grupi i artistëve mirditorë si me magji shkrin sëbashku tingujt e çiftelive me ato të flautit të Monikës, në improvizime të çastit që kthehen në kolonë zanore të kësaj pritjeje të bukur e bujare – traditë e përhershme e shqiptarit.


Bie mbrëmja mbi Milano. Një erë e freskët që fryn, bën të valëviten në ballkonin e konsullatës flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Me këtë imazh në sy largohemi duke marrë me vete ngrohtësinë e mikpritjes dhe atmosferën e Festës së Pavarësisë në sfondin e poezisë e të muzikës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu