Monitorimi dhe vetëdija e perëndimit

0
 Shkruan Zef Ndreka
Shpesh herë pyesim veten, çfarë ka që nuk ecën ky vënd?!
Çfarë ka që demokracia nuk po arrinë objektivat për t’a bërë Shqipërinë si gjithë Europa?!
Çfarë faji ka ky popull dhe sa kohë duhet të durojë pengmarrësit e fatit të vet?!
A e shohin politikanët realitetin, jetesën, vështirësitë, çmimet më të lartat në planet, shërbimet ndaj tyre?!
Shumë pyetje mund të bëhen dhe të artikulohen qartë edhe përgjigjet, por gjithmonë rezultantja të mbetët e lidhur me politikën, me qeverinë, me opozitën.
Sot Shqipëria, për fat të keq, gjëndet e pasqyruar nga lëngatat më të degraduara të demokracisë dhe të institucioneve të kapura nga mafia.
Ka plot 32 vite tranzicioni i dhimbshëm shqiptarë. I shoqëruar me vjedhje, me korrupsion , me grabitje e krime, me shitje pasurisë kombëtare.
Përveç vetë shqiptarëve dhe klasës së kalbur politike të saj , është edhe Europa dhe USA që e kanë lejuar me vetëdije të plotë këtë rregjim të djeshëm e të sotëm për të lexuar rënjen e demokracisë.
Shqiptarët po përcjellin në vite dhe të gjithë po përjetojmë demokracinë e lobuar.
Demokracia jonë është një lloj demokracie ndoshta eksperimentale pa parime e pa vlera.
Nuk është se shqiptarëve ju mungojnë aftësitë për të zgjedhur e për të ecur përpara në rrugën e drejtë. Por, çdo herë, liderët e politikës, si të pushtetit dhe të opozitës, kanë qënë më të poshtrit dhe me anti kombëtarët për të bërë shtet ligjor e demokratik.
Vitin që shkoi, PD-ja nuk i humbi zgjedhjet. Ato u manipuluan haptazi, u blenë votat me paratë e termetit, me përdorimin e dhunës shtetërore, me paratë e krimit e të drogës .
Çudia për të gjithë, sigurisht ishte nxitimi i SHBA-ve dhe i Europës për të njohur rezultatin e zgjedhjeve ende pa u mbyllur proçesi.
Kёshtu, 25 Prilli i vitit që shkoi njohu zgjedhjet e manipuluara dhe Edi Rama gëzon për herë të tretë pushtetin pa meritë dhe me gara elektorale të masakruara.
Raporti me materialet e paraqitura nga Partia Demokratike dhe aleatët, ishte aq i saktë për masakren zgjedhore, sa arriti të bëhej Raporti zyrtar i OSBE-ODIHR-it.
Nuk kaloi shumë kohë nga 25 Prilli i 2021, dhe shqiptarët e kuptuan edhe reflektimin në mënyrë vulgare të amerikanëve dhe europianëve.
Fakti ishte i lidhur me prezencën e Berishës në listën e PD-së dhe angazhimi si i çmëndur i Metës në favor të LSI-së.
Ky ishte realiteti i hidhur për shqiptarët në ato zgjedhje. Nga amerikanët ishin dhënë më parë sinjalet e qarta dhe ishin përgatitur non grata-t, siç u përcollën më vonë.
Si pasojë e ego-s së Berishës, më pas nisi përçarja e pashmangshme e opozitës në tërësi dhe e PD-së në veçanti.
U hartua strategjia mashtruese e Berishës . Si fillim kundër Lulzim Bashës , por që ishte një betejë e maskuar kundër Amerikës dhe vëndimit të saj .
Truku i Berishës, me përceptimet si fitues mbi sfidantin Basha, që e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së deri në zgjidhjen përsonalisht të vëndimit të dhënë familjarisht non grata, nuk ishte sfidë për USA-në.
Berisha , përdori PD-në, përdori foltorën dhe foltoristët , përdori autoritarizmin e tij të ushtruar si ish President dhe Kryeministër me vartësit e tij, me ish ministra , ish deputet, ish drejtorë e doganier, polici e kriminelë, me të korruptuar, për të ndërtuar kështjellën mbrojtëse të tij dhe të familjes.
Por ndëshkimi i përjetshëm amerikan ishte sfida e vërtetë dhe reale.
Sfiden me USA-në e di shumë mirë Berisha që nuk e fiton asnjëherë.
Ai ka mbetur i damkosur për jetë si i korruptuar, si shkatërrues i sistemit të drejtësisë.
Kështu, sot Shqipëria gjendet në një realitet me mungesën e opozitës , me qarkullimin e parave të pista që e ndotën më tej këtë vënd për të mbajtur me dhunë e poshtërsi pushtetin kriminal të instaluar tashmë.
Për shumë vënde, për shumë kancelari, për shumë agjent e spiunë antishqiptarë që nuk e duan Shqipërinë demokratike, por një vënd ku sundon krimi e mafia, ku sundon anarkia e korrupsioni, bandat dhe droga, edhe gjeopolitika kërkon një Shqipëri të rrënuar, të dobët, të zbrazur nga rinia. Dhe për të dobësuar mundësisht sa më shumë edhe Kosovën.
Përkrahja dhe zgjedhja e Edi Ramës në vazhdimësi, rezultoi fatale për vëndin dhe demokracinë. Shqipëria është më e braktisur, më e rrënuar ekonomikisht dhe demokracia e vëndit e tradhëtuar.
Për pyetjet e bëra në fillim të shkrimit, më përgjigjet ironia : E gjitha kjo ndodh nën monitorimin dhe vetëdijen e perëndimit!
Edhe sa do të zgjasë?!
Ashtu siç kanë vepruar me Berishën dhe 27 të tjerët e shpallur non grata, goditja më e pritshme dhe më e drejtë për shqiptarët, do të ishte ajo ndaj Edi Ramës dhe bandave të tij.
Që shqiptarët të shpëtojnë përfundimisht nga trëkëndëshi Berisha-Meta-Rama.
Për shqiptarët, 30 vite nuk janë pak për të ndërruar mentalitetin komunist si vendet e tjera të BE-së.
Zgjidhja e këtij realiteti sot për Shqipërinë , mbetet bashkimi në një i grupit parlamentarë të PD-së dhe përjashtimin automatikisht të Berishës. Deputetet më shumë se asnjëherë, duhet të kënë koshiencen për të ardhmen e tyre dhe të shqiptarëve. T’a kuptojnë se ajo
që po vazhdon të bëjë Berisha me foltorën dhe foltoristët , është thjeshtë vazhdimi i poshtërimit më tej të PD-së.
Kjo po kuptohet tashmë nga demokratët , edhe pse nevojitet edhe pak kohë për mbështetësit e tij foltoristë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu