Shkruan Dr. Shefki Hysa
Diplomatic Mission
Dikur Dikush më tha:
A e di se cfarë është ky mendimi ndryshe, se na canë veshët disa, duke mos na lënë rehat të bëjmë punën?
Nuk e di, po dihet se në botë janë shpikur edhe Apologjetët e mendimit ndryshe.
Po, pra, janë shpikur të hanë bukë dhe ata, duke futur hundët në jetët e të tjerëve, në punët e të tjerëve dhe bota ka ikur për lesh pikërisht nga marifeti që nuk e lë tjetrin rehat në Shtëpinë e vet, e të tjera, e të tjera.
Ouuu, – thashë unë, i intriguar nga këndvështrimi i tjetrit.
Po, pra!
A nuk e krijoi Zoti për Bukuri Parajsën?
E krijoi.
Doli Satani si gjoja eksperti i parë i mendimi ndryshe dhe e bëri corap Parajsën bashkë me Adamin dhe Evën.
A e kupton marifetin?
Satani ishte Rebeli i Parë, Revolucionari i Parë, a Komunisti i Parë, Antivlera e Parë, që shkatërroi një Vlerë të Madhe si Parajsa, duke futur hundët në punët e Zotit, aty ku nuk i takonte.
Dhe qysh atëherë, ky qeratai, Satani, shpiku dhe Elitat Sataniste, që mbrojnë, nxisin dhe sponsorizojnë mendimin ndryshe për të pasur kontrollin mbi gjithcka të bukur, mbi cdo vlerë njerëzore, duke e përvetësuar atë, ose duke e shkatërruar kur nuk u pëlqen, ose kur nuk munden ta bëjnë të tyren.
Ouuu, po që paske të drejtë në këtë këndvështrim?
Kam, ore, si nuk kam!
Mendimi ndryshe është ligësi, zili, xhelozi për arritjen e dikujt dhe përpjekje diversive, me të gjitha mundësitë dhe me të gjitha mjetet për ta zhbërë atë.
A nuk arriti kulmin e Madhështisë Perandoria e Romës së Lashtë nën drejtimin e Cezarit?
Po.
Pikërisht.
Dhe Satani dhe elitat sataniste, që nuk e duan mirëqenien e Njerëzimit, shpikën Brutin, një ziliqar të tredhur, që vrau Cezarin dhe Perandoria Romake iku për lesh.
Shiko, shiko, më duket se paske të drejtë në këtë këndvështrim.
Kam, si nuk kam.
Dhe mos i fol Shoferit në timon, se i heq vëmendjen dhe na hedh në greminë.
Po ti nuk je në timon tani, – thashë unë.
Mënyrë të thëni, që të kuptosh se makina drejtohet vetëm nga një Shofer, drejtohet nga një mendje, jo nga mendimi ndryshe, se të thotë ai tjetri, do më lesh rehat në timon, t’ju coj në destinacion, ose eja merre vetë drejtimin dhe bëji nënën punës.
A e merr dot kushdo timonin e makinës, po u bezdis Shoferi?
Jo, se del ndonjë dallkauk i pa specializuar, joprofesionist dhe e hedh makinën në greminë…
E drejtë.
Pikërisht.
Mencuria popullore thotë: lere mushkën e ngarkuar të shkojë në shtëpi, pastaj shkarkoji drutë, mos i shkarko në mes të rrugës, pra edhe mushkës që është mushkë nuk i ndërhyhet në punën e saj.
E drejtë.
Këta Satanistët, janë me dy standarde, miku im.
Aty ku duan sukses në punët e tyre dhe në mbarëvajtjen e Jetës së tyre, nuk e lejojnë mendimin ndryshe, gjoja punën në ekip, po thonë, edhe në një grup prej dy vetësh, njëri duhet të jetë i pari, përgjegjësi, për të arritur me sukses në fund të një rrugëtimi.
Në ushtri kanë parimin, mos i ndërhy Komandantit, zbato urdhërin, mos e kundërshto, në fund dil në raport, domethënë, pas të vjelave, ose kur e ka marrë ferra uratën, ankohu.
Dhe mirë e kanë, se vetëm me një komandë ushtria arrin fitore, jo me dy komandantë e me mendimin ndryshe.
Këtë e kanë për vete, satanistët, për të pasur ushtri të forta, vetëkuptohet, për të pushtuar të tjerët.
Dhe aty ku nuk kanë interes për fitore, mbarëvajtje e mirëqenie, vazhdojnë e nxisin mendimin ndryshe, domethënë Brutin kundër Cezarit…
Po thuhet se historia vetëm njëherë është tragjedi dhe kur përsëritet, ehhh, përsëritet në formë komedie.
Pikërisht.
Dhe dihet që brutat e sotëm janë thjesht muta bezdisës, që bezdisin të suksesshmit, që disa popuj, kombe, komunitete etj., të mos kenë paqe e prosperitet.
Pra, aty ku nuk duan satanistët të ketë zhvillim, futin në punë mendimin ndryshe, domethënë brutat-muta, që përmutin gjithcka, sic po përmutemi me njëri tjetrin ne shqiptarët, që nuk shohim punën tonë, po punën e tjetrit, domethënë fusim hundët ku nuk na takon, në bythën e tjetrit.
Mos, kundërshtova, unë, jo kaq vulgar!
Pikërisht, miku im, edhe ty nuk të rri as bytha e as hunda rehat, që nuk më lë të shpjegohem deri në fund për mendimin ndryshe, ose për brutat-muta.
Vec mos harro, se elitat sataniste, që drejtojnë këtë botë, aty ku nuk u pëlqen, përdorin Veton, jo mendimin ndryshe, aty ku duan rrëmujë nxisin brutat-muta, gjoja për standarde demokratike dhe përmutin gjithcka…
Aaa, tani e prishe, ia ktheva unë, u bëre antidemokratik, aspak diplomat…
Vazhdo e bëj diplomaci, o miku im, se ti për atë je përgatitur në këtë botë, por kij parasysh edhe këshillën time: Ruaju nga mendimi ndryshe, shpikje sataniste, që shkatërron vlerat e vërteta njerëzore, ruaju nga brutat-muta, që të mos përmutesh.
Kështu më tha, vuri Veton dhe shkoi e iku, miku im, armiku i mendimit ndryshe.
Kishte apo nuk kishte të drejtë, po e lë ta gjykoni ju, o miqtë e mi të FB.