Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka caktuar datën 9 shkurt për mbajtje të zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Përmes dekretit zyrtar, të nënshkruar nga presidentja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve udhëzohet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në dekretin e nënshkruar sot nga Vjosa Osmani.
Vendimi i presidentes vjen dy javë pas takimit që pati me krerët e partive politike, takimm ky i cili u mbajt pa prezencën e LVV-së.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Më 31 korrik, presidentja Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas atij takimi, Osmani tha se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura ishin 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por gjatë këtij viti dështuan të vendosnin se si të shkohet në zgjedhje.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.