Mandati i Olta Xhaçkës/ Socialistët fillojnë manovrat me kohën në Kuvend

0

Deputetët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan dy javë kohë për të analizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres Olta Xhaçka, ndërsa demokratët pretenduan se kjo ishte një tjetër taktikë për zvarritjen e mëtejshme të çështjes.

Nga Blerina Gjoka, BIRN

Këshilli i Legjislacionit shtyu të mërkurën zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e detyron Kuvendin të dërgojë për shqyrtim raportin e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në janar, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së deputetëve të opozitës, duke e rrëzuar si antikushtetuese qëndrimin e mazhorancës në Kuvend për të mos dërguar çështjen për shqyrtim.

Anëtarët socialistë të Këshillit të Legjislacionit kërkuan dy javë kohë për të përpiluar një raport për ndjekjen e procedurës për këtë vendim dhe 5 vendime të tjera të mëparshme të Kushtetueses.

Drejtuesja e mbledhjes, Ermonela Felaj tha se analiza e vendimeve të kësaj gjykate nuk është aq e lehtë dhe duhej koha e mjaftueshme për të përpiluar raportet.

“Relatorët do të na ftillojnë për përmbajtjen e vendimeve,” tha Felaj.

Edhe anëtari tjetër, Fatmir Xhafaj ndau të njëjtin qëndrim duke argumentuar se duhej zbatuar procedura e punës së Kuvendit.

“Këshilli sillet si komision i zakonshëm në procedurën e tij, ne sot kemi marrë materialet, caktojmë relatorët dhe caktojmë mbledhjen dhe vijmë këtu diskutojmë,” tha ai, duke shtuar se vendimmarrja se si do të procedohej me zbatimin e vendimeve kërkonte një proces të rregullt.

Opozita e kundërshtoi dhe nuk pranoi të caktonte relatorë nga ana e saj. Deputetët e PD-së akuzuan mazhorancën se po përdorte taktika për ta zvarritur në mënyrë të qëllimshme zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën.

“Po kalon një vit që kur është depozituar mocioni i PD-së dhe ju duke përdorur kryetaren e Kuvendit dhe forcën e kartonave, po e zvarrisni pa fund,” tha deputeti Gazment Bardhi, duke shtuar se PS vijon mbrojtjen e Xhaçkës dhe pse sipas tij është kapur në flagrancë duke shkelur Kushtetutën.

Ai këmbënguli që Këshilli të merrte një vendim brenda ditës duke e cilësuar të pabazuar ligjërisht qëndrimin e PS-së për të caktuar relatorë dhe për të hartuar raporte për vendimet e gjykatës.

“Çfarë do bëjnë relatorët? Do lexojnë me zë të lartë vendimet e Gjykatës Kushtetuese?” ironizoi ai.

Opozita kërkoi në qershor të vitit të shkuar që ministres Xhaçka  t’i hiqej mandati i deputetes pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, u shpall “Investitor strategjik” nga qeveria dhe iu njoh e drejta e përdorimit të bregdetit në Dhërmi për 30 vite.

PS përdori taktika për ta shtyrë disa herë një vendimmarrje në Këshillin e Mandateve deri në rrëzimin e raportit të opozitës në nëntor, vendim që gjykata e gjeti në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi,” -argumentohet në vendimin e Kushtetueses të zbardhur më 22 shkurt të këtij vit.

Këshilli i Legjislacionit caktoi mbledhjen e radhës në datën 29 mars për paraqitjen e raporteve për 7 vendime të Gjykatës Kushtetuese, ku përveç mandatit të Xhaçkës përfshihej dhe vendimi për rritjen e pagave të magjistratëve dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve.

Lidhur me vendimet e tjera të GJK-së, deputetët e PD-së akuzuan kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, si autoritet që thërret mbledhjet e Këshillit, për shkelje të afateve të përcaktuara në rregullore për futjen e tyre në shqyrtim, por PS u mbrojt me praktikën e mëparshme.

“Nuk janë afate që sjellin pasoja, nuk është zbatuar as nga ju kur e drejtonit këshillin”- iu drejtua Felaj kolegëve opozitare duke kërkuar që të kihet kujdes në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu