Ligji i ri për gradat për të shpëtuar Policinë e Shtetit dhe Gledis Nanon

0

Shkruan Klajdi Bodlli

Këto muaj, duke përfshirë dhe verën kanë sjellë disa ngjarje kriminale, të cilat kanë vënë përpara ciklonit Policinë e Shtetit. Këto ngjarje të cilat vijojnë prej vitesh ku grupet kriminale lajnë hesapet në mes të ditës, në sy të Policisë së Shtetit, ku policia i di pagatorët, di autorët po nuk mbledh dot prova me apo pa dashje duke bërë që zinxhiri vrasjeve të vijojë.

Një nga arsyet kryesore, patjetër që është inkriminimi i efektivëve të policisë. Një pjesë e tyre, marrin paga mujore nga grupet kriminale, për të lëvizur të lirë, megjithëse janë në kërkim, paguhen për të marrë informacione për kundërshtarët dhe për të fshehur provat.

Arsyeja e dytë dhe më kryesorja e cila si pasojë sjell inkriminimin e policisë janë ndërhyrjet politike. Drejtorë qarku, shefa komisariatesh, shefa seksionesh të emëruar nga deputetët apo nga Ministri i Brendshëm. Ka apo nuk ka gradën e caktuar, ai emërohet në pozicionin përkatës shkon në gjykatë dhe merr gradën në mënyrë krejtësisht të pamerituar.

Këto 9 vitë kemi pasur disa ministra të Brendshëm dhe drejtora policie. Saimir Tahiri i cili ishte Ministër i Brendshëm dhe kishte një rol aktiv qoftë për pozicionin e tij politik qoftë dhe për punën e Strukturë së Policisë së Shtetit.

Saimir Tahirin e pasoi Fatmir Xhafaj. Ndryshe nga Tahiri, Xhafaj në të shumtën e rasteve barrën e përgjegjësisë ja linte Ardi Veliut, shfaqej dhe i vinte ‘gjoksin’ punës në momente ‘delikate’. Një nga këto momente ishte kur kërcënonte banorët e Kukësit pasi dogjën traun se do t’i arrestonte, duke bërë prokurorin dhe drejtorin e policisë.
Sandër Lleshaj solli dhe ministrin e Brendshëm të qeverisë Rama, më pa pushtet kundrejt drejtorit të Policisë. Ardi Veliu, i emëruar nga Fatmir Xhafaj në kundërshtim me ligjin për zgjedhjen e drejtorit të Policisë së Shtetit, arriti të krijojë një kanal komunikimi direkt me kryeministrin Rama duke shmangur në këtë mënyrë ministrin e Brendshëm. Kjo solli një përplasje të fortë midis Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut. Ministri kërkonte ndryshime në strukturën e Policisë së Shtetit por Drejtori i Përgjithshëm si rrallë herë në Shqipëri nuk pyeste për kërkesat e ministrit, pasi urdhërat i merrte nga kryeministri. Kur ndodhi ngjarja e Klodian Rashës, kryeministri Rama nuk sakrifikoi Ardi Veliun por Ministrin e Brendshëm, si një shenjë mirënjohje për punët e Ardi Veliut. Sandër Lleshaj dhe Sekretari i tij i Përgjithshëm, Plarent Ndreca do të mbahen mend vetëm për tenderat abuzive të cilët sot e kësaj ditë nuk janë hetuar nga SPAK.

Vendin e Sandër Lleshajt do ta zinte Bledi Çuçi. Ashtu si paraardhësi, Çuçi hasi të njëjtin problem atë të mospërfilljes nga drejtori i përgjithshëm. Ardi Veliu vijonte komunikimin me Ramën dhe nuk e përfillte Ministrin e ri të Brendshëm. Por, pas muajsh beteja njëlloj si Fatmir Xhafaj me Haki Çakon (megjithëse ky zbatoi çdo kërkesë të Fatmir Xhafës), Bledi çuçi fiton betejën e tij. Ai arrin të bindë kryeministrin për shkarkimin e Gambales njëriut që e çoi Policinë e Shtetit në pikën më të ulët të saj. Me një letër dorëheqje që u bë meme Ardi Veliu u largua nga policia.

Pasardhësi i Ardi Veliut, u bë pikërisht Gledis Nano. Ata që e njohin e përshkruajnë si një polic karriere, që vjen nga radhët e policisë dhe që i ka marrë shkallët e karrierës një nga një. Shumë shpresuan dhe menduan se periudha e errët e Ardi Veliut përfundoi. Në krye të policisë po vjen një profesionist, një njeri që e do uniformën e kështu me radhë. Pak ditë nga emërimi njeriu që u përshkrua si investim amerikan në krye të Policisë së Shtetit firmos ndryshimet e para. Të njëjtat emra që lëvizin nga një qark në tjetrin nga një seksion në tjetrin. Historia vazhdon kështu dhe sot.

Duke qenë se ka firmosur këto ndryshime Gledis Nano është sot para përgjegjësisë për ngjarjet kriminale që po ndodhin në çdo cep të Shqipërisë.

Zërat brenda strukturës Policisë së Shtetit thonë se Gledis Nano i ka duart e lidhura. Ai ka një përplasje të fortë me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi për shkak të emërimeve që ky i fundit i dikton. Emrat që Ministri i Brendshëm dikton janë të gjithë të inkriminuar, të përfolur, të lidhur me krimin. Përplasja thonë që ka shkuar deri në zyrën e Ramës, kur ky i fundit i ka kërcënuar me shkarkimin e të dyve.

Teksa Bledi Çuci ka zgjedhur që të mbajë një profil të ulët mediatik, për të shmangur përgjegjësinë megjithëse të gjitha emërimet janë të tij, duke përdorur firmën e Gledis Nanos, këtij të fundit i ngelet barra e përgjegjësisë para opinionit publik dhe medias. Gledis Nano duhet të përballet me vartës të cilët i dekonspirojnë urdhërat. Gledis Nano duhet të mbajë koston e drejtorëve dhe shefave të emëruar me diktatin e Bledi Cucit të cilët më parë kanë qenë nën hetim për trafik narkotikesh, për lidhje me krimin dhe sot po godasin rrjete të caktuara trafiku për të riaktivizuar rrjetin që kanë punuar më herët.

Për këto arsye, Gledis Nano ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar veten dhe për të shpëtuar Policinë e Shtetit nga ndërhyrja kaq e fortë politike. Ai duhet të hartojë dhe të prezantojë publikisht një ligj për gradat, që të garantojë meritokraci në Policinë e Shtetit. Ligji i ri për gradat duhet të garantojë që konkurset për gradat të jenë të hapura gjithë kohës dhe jo kur t’i teket Drejtorit të Policisë apo kur të urdhërojë Ministri i Brendshëm (siç Fatmir Xhafaj detyroi, Rebani Jaupin të hapte konkursin për gradën ‘Drejtues i Parë’ në mënyrë që Ardi Veliu të merrte gradën dhe të bëhej drejtor). Kjo do të mundësojë ndryshimin e elitës së korruptuar të Policisë së Shtetit e cila sot nuk kryen asnjë detyrë përvecse është kthyer në një organizatë gjobvënëse me tarifa mujore. Kjo do të shmangë(megjithëse jo plotësisht) që një ministër ta marrë ta emërojë një të preferuarin e vet dhe ai t’i drejtohet gjykatës për të marrë gradën. Policia e Shtetit nuk mund të gradohet nga gjykata dhe për këtë Gledis Nano si officer karriere ka mundësinë, detyrimin moral që të shpëtojë veten dhe Policinë e Shtetit duke hartuar një ligj funksional për gradat.

Ligji i ri për gradat do të shpëtonte vetë Gledis Nanon dhe Policinë e Shtetit qoftë nga ndërhyrja politike, qoftë nga kërcënimet e Bledi Çuçit se do t’i arrestojë policët e promovuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nëpërmjet kërrbaçit që ai zotëron, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që vijon të drejtohet nga Muhamed Rrumbullaku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu