Kush do jetë presidenti i 11-të i republikës

0

Në garë për të qenë president të Republikës. Cilët janë kandidatët e mundshëm dhe sa janë gjasat që të ulen në zyrën e kreut të shtetit. Nga Leka Zogu i II-të, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Zef Mazi e deri te Majlinda Bregu e Pandeli Majko. Mundësitë reale ose jo për tu bërë president. Kush ishin 10 presidentët e shtetit shqiptar, nga Ahmet Zogu te Ilir Meta.

Shkruan Roland Qafoku

Politika shqiptare vijon ti ngjajë trupit që nuk i ikin ethet dhe ngjarjet janë aq të shumta saqë mbivendosen, por kryeçështja e momentit në Shqipëri është se cili do jetë presidenti i 11-të i Republikës? Kanë filluar negociatat dhe media ka nisur nga spekulimet por ajo që vlen më shumë është se PS duket se e ka seriozisht që këtë herë kreu i shtetit këtë herë të jetë socialist. Nga 10 presidentë që ka në histori shteti shqiptar që nga viti 1925 dhe 6 presidentë të zgjedhur pas rrëzimit të komunizmit vetëm një, Rexhep Meidani, është zgjjedhur nga radhët e PS-së. Katër janë zgjedhur nga radhët e PD-së, Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe një, Ramiz Alia, është zgjedhur nga radhët e PPSH. Por sa janë mundësitë që presidenti i ri të jetë socialist pikërisht për këtë arsye? Anëtari i kryesisë dhe deputeti Arben Pëllumbi zbuloi pak ditë më parë në emisionin “Dekalog” se të 74 deputetët e PS-së do të votojnë në një mbledhje të grupit me një selektim paraprak duke shkruar secili në një letër të mbyllur në zarf emrat e tre kandidatëve që ata preferojnë. Kjo merr vlerë edhe për faktin që këtë herë është rasti që kjo përzgjedhje të bën të mendosh dhe besosh se vetë socialistët do zgjedhin dikë brenda radhëve të tyre. Megjithatë, konjukturat, ndërhyrja e ndërkombëtarëve, apo edhe situata të tjera të paparashikuara që në Shqipëri janë fenomene politike normale dhe mund të përmbysin gjithçka. Ndonëse çdokush mund të bëjë listën e vet me kandidatët për presidentë, disa emrat janë më të diskutuar ditët e fundit. Një listë që mund të përmbyset në çdo moment dhe kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama mund të zgjedhë një emër që nuk i ka shkuar në mend askujt.

KANDIDATËT E MUNDSHËM

LEKA ZOGU

Nëse këto ditë kur çdokush që është nbi 40 vjeç mund të quhet kandidat për president të Republikës, kësaj mund ti shtohet edhe një element tjetër. Nëse këtë kandidat e takon një diplomat i huaj, kandidatura të paktën në media bëhet edhe më serioze. Mjaftoi që një vit më parë zëvendësndihmës sekretari i shtetit, Philip Ricker, të takonte pretendentin për fronin mbretëror, Leka Zogun e II-të dhe tani emri i tij është në top listë. Nuk ka asnjë gazetë, asnjë televizion, asnjë emision politik dhe asnjë portal që të mos e kenë bërë lajm se ai është kandidat për president. Por sa e besueshme është që emri i Leka Zogut i hedhur befas për opinionin publik ka serizoitet si kandidat i mundshëm? Përveç se është një emër befasues, asnjë llogari politike dhe teknike madje, nuk del që nipi 40-vjeçar i Ahmet Zogut të jetë një ditë president i Republikës së Shqipërisë. Së pari, nëse ai pranon qoftë edhe kandidaturën, zyrtarisht kauza e tij që është pretendent i fronit mbretëror, për të cilën është betuar, bie poshtë. Kjo ka domethënien se shuhet një herë e përgjithmonë idea se një ditë në Shqipëri Zogollët mund të ngjallin mbretërinë. Së dyti, Leka Zogu i II-të nuk ka asnjë më të voglin talent politik për të qenë në krye të shtetit. Pas 20 viteve nga rikthimi në atdheun e të parëve, ai duket shumë larg instikteve jo vetëm të gjyshit të tij por edhe të babait dhe gjuha e tij jo vetwm politike por edhe shqipja letrare lë shumë për të dëshiruar. Në ato pak angazhime që ai ka patur kryesisht në krah të Lulzim Bashës si këshilltar në ministrinë e Jashtme apo edhe në bashkinë e Tiranës mbahet mend që ka marrë vetëm rrogën dhe asgjë më shumë. Dikush mund të spekullojë dhe të thotë se ky është kandidat ekskluziv i Bashës, por çështja komplikohet kaq shumë me këto llogari saqë të largon shumë nga besimi se nipi i mbretit do bëhet president nga socialistët, krejt e kundërta e Ahmet Zogut që nga president u bë mbret.

VALENTINA LESKAJ

Socialistja 74-vjeçare Valentina Leskaj mund të ishte një emër ideal brenda familjes socialiste si presidente e Republikës. Një figurë që krijoi një format të pranueshëm edhe për kundërshtarët politikë në rreth 20 vjet karrierë aktive, Leskaj nuk është përfolur kurrë për afera korruptive. Nuk është përfolur kurrë për abuzime me pushtetin dhe nuk është përfolur kurrë për defekte që politikanët shqiptarë i kanë pa masë. Katër herë e zgjedhur deputete në kuvend dhe ministre e Punës dhe e Çështjeve Sociale, Valentina Leskaj është nga ata politikanë që është terhequr nga politika me dëshirën e saj. Ajo e mori vendimin në vitin 2017 për tu lënë vendin të rinjve, një gjest që ndryshon shumë me politikanë të tjerë qw ose janë larguar të detyruar ose nuk vazhdojnë të mos largohen. Nga viti 1995 deri në 2002 Valentina Leskaj ka qenë presidente në Forumin e OJF-së shqiptare, ndërsa ka qenë mjaft aktive në disa organizata ndërkombëtare, si UNESCO dhe OKB. Ndërkohë Leskaj është e para grua shqiptare që ka mbajtur postin më të lartë si Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nga 2015 deri 2017. Por sa janë shanset që Valentina Leskaj të jetë presidente e republikës? Nëse është një emër që kuotat i ka vërtetë të larta për tu futur në presidencë, kjo është pikërisht Valentina Leskaj. Së pari, pritshmëritë janë që në votimin e grupit parlamentar amri i saj pritet të jetë më i votuari. Së dyti ajo preferohet jo pak nga kryesocialisti Edi Rama me të cilin ka patur një bashkëpunim shumë të mirë. Së treti, emri i Leskajt është i pakontestueshëm edhe nga opozita që mezi pret ta kthejë në gjahun e saj emrin e presidenti të ri, por me Leskajn nuk e ka këtë mundësi për shkak të formatit të saj serioz dhe aspak konfliktual. Dhe së katërti, Lekaj ka avantazhin se nëse do zgjidhej presidente, do ishte gruaja e parë në historinë e shtetit shqiptar që merrte këtë detyrë, një element që Rama dhe të tijtë e kanë shprehur si element i gjetur në përzgjedhjet.

MIMI KODHELI

Nëse një ditë Mimi Kodheli do ishte presidente e Republikës vetëm do ti bënte nder vendit. Një grua në politikë që e ka përfaqësuar denjësisht vendin tonë kudo që e ka qenë, edhe në këtë detyrë ka të njëjtat pritshmëri. Dhe 58-vjeçarja e lindur në Tiranë i plotëson kushtet preferenciale të Partisë Socialiste por edhe më shumë se sa kjo parti. Katër herë e zgjedhur deputete në Kuvend që nga viti 2009, ministre e Mbrojtjes nga vitit 20913 deri në 2017, Mimi Kodheli ka krijuar një profil real personal të një gruaje në politikë që e ka arritur duke zhvilluar beteja. Ajo ka qenë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës gjatë kohës që kryetar ishte Edi Rama dhe kjo është një armë më shumë drejt presidencës. Më pas ka qenë prefekte po e Tiranës gjatë kohës që kryeministër ishte Fatos Nano. Dhe gjatë kësaj kohe ka kryer disa beteja politike të cilat i ka fituar. Më e fundit ishte ajo kur u zgjodh deputete në listën e PS-së së Tiranës të vendosur shumë larg zonës fituese, por që arriti të futej në kuvend edhe falë votave të veta por edhe zhvendosjes në listë për shkak të largimit të Najada Çomos. Mundësitë reale që Kodheli të jetë presidente janë të shuma. Kjo edhe për faktin se gëzon mbështetjen e Edi Ramës, por edhe për faktin që ka një karrierë të pasur politike gjë që e bënë të avantazhuar për të drejtuar presidencën por edhe për faktin që një grua socialiste në krye të shtetit do ishte vazhdimi i trendit që kjo parti ka krijuar gjatë qeverisjes së saj.

ZEF MAZI

Një nga diplomatët shqiptarë më të njohur të tranzicionit, Zef Mazi, lehtësisht mund të jetë një ditë president i Republikës së Shqipërisë. Me kontrirbut të jashtëzakoshëm në këto 30 vite si ambassador, 66-vjeçari ka për faqësuar Shqipërinë si ambasador në Britaninë e Madhe dhe si diplomat ambasador në shumë organziata ndërkombëtare të OKB-së dhe të Evropës. Prej 9 majit 2020, Zef Mazi është shef negociator i Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kjo e avantazhon shumë atë si një emër të preferuar personal të Edi Ramës pikërisht për këtë arsye. Duke qenë president i Republikës ai mund ta zhvillonte diplomacinë presideniale në atë formë dhe mënyrë që të ndihmonte mazhorancën socialiste për të arritur qëllimin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Por emri i Zef Mazit i duhet më shumë Ramës dhe PS në presidencë, apo në krye të grupit në negociatorëve me BE-në? Kjo është një pyetje, përgjigjen e së cilës mund ta japë vetëm Edi Rama. Nuk është hera e parë që emri i tij qarkullon për tu ulur në karrigen e kreut të shtetet. Zef Mazi ka qenë kandidat për president edhe në vitin 2002, por palët e asaj kohe të PS dhe PD nuk ranë dakord. Në vitin 2005 ai ka qenë kandidat zyrtar i Shqipërisë për postin e Sekretariat të Përgjithshëm të OSBE-së. Aktualisht shanset e tij janë të mëdha, por kjo do varet nga përzgjedhja e kryesocialistit Edi Rama.

MAJLINDA BREGU

Tre herë deputete në kuvend, ministre e Integrimit dhe zëdhënse e Qeverisë, Majlinda Bregu në moshën 48-vjeçare duket sikur i ka dhënë restart jetës politike. Që prej tre vjetësh me detyrën sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ajo është shfaqur ditët e fundit në Tiranë dhe në media si emër i përfolur për të qenë presidente e Republikës e përzgjedhur si emër nga socialistët. Por a është e mundur që Majlinda Bregu të jetë seriozisht një kandiate për presidente e Republikës? Në fakt rezulton se emrin e saj e kanë hedhur në treg vetëm ata që kanë dëshirë që ajo të jetë kandidate dhe askush tjetër. Cilësitë dhe kushtet e tjera e largojnë aq shumë saqë edhe vetë zonja Bregu e kupton që e shkuara politike e saj nuk e bënë shumë të nderuar. Mjafton për këtë të kujtojmë marrëdhëniet skandaloze të saj me median gjatë kohës kur ishte zëdhënëse e qeverisë. Raportet ishin të tilla që gjurmët nuk mund të fshihen si në një klinikë estetike. Urdhrat që Bregu u jepte pronarëve nëpër gazeta dhe televizione dhe komunikimet skandaloze me gazetarët janë ende të freskëta dhe tanimë politika shqiptare e vitit 2022 nuk ka nevojë për një “old fashion” të viteve 2005-2013. Fakti që ishte dhe është kundërshtare me Lulzim Bashën nuk i jep asaj ndonjë benefit të madh politik. Por sidomos fakti që një anëtare e qeverisë së PD mund të bëhet e preferuar e socialistëve për ta përzgjedhur si presidente të Republikës e kompromenton shumë emrin e saj. Prandaj shfaqja e Bregut në kryeqytet si lektore e “huaj” por me mendësi shqiptare, më shumë se se një dëshirë për tu rikthyer në politikën e lartë duhet t’i kujtojë gabimet e të shkuarës kur kishte shumë mundësi ti jepte pozitivitet por që realisht i dha një model që brenda PD-së mori shumë kritika. Mjaftojnë të pëmendim akuzat e forta të Mark Markut ndaj saj që në atë kohë ishte deputet po i PD-së dhe ky diskutim mbyllet pa filluar seriozisht.

PANDELI MAJKO

Me 4 prill Pandeli Majkos i ndodhën dy gëzime në një ditë. Mori mandatin e deputetit të lënë bosh nga Alqi Bllako që u arrestua dhe në të njëjtën ditë u përfol si emër i mundshëm për president i Republikës. Por a do ta festojë këtë vit 55-vjetorin e lindjes Pandeli Majko si president i Republikës? Një nga politikanët më të rëndësishëm në Shqipëri në këto 32 vjet, ai është kryeministri i 30-të mes 33 kryeministrave në historinë e shtetit shqiptar. Madje i zgjedhur dy herë në këtë detyrë, herën e parë nga 1998 deri në 1999 dhe herën e dytë për gjashtë muaj në vitin 2002. Pandeli Majko ka qenë gjithashtu edhe ministër i Mbrojtjes në kabinetin e Fatos Nanos dhe ministër i Diasporës në kabinetin e Edi Ramës. Ai mbetet një nga politikanët më të pushtetshëm dhe më aktivët në vend, sidomos po ti shtojmë faktin që është zgjedhur nëntë herë deputet në parlament duke qenë rekordmen për sa i përket numrit të mandateve. Por të këto këto stacione të CV-së së tij shërbejnë vetëm për statistika dhe sidomos atyre që shkruajnë libra. Fuqia politike e Pandeli Majkos ka ardhur duke u ulur dhe ylli politik i tij është zbehur shumë me kalimin e viteve. Jo vetëm me pranimin e portofolit të nivelit të dytë si ai i Diasporës qw askush nuk e dis e çfarw bëri në katër vjet, por edhe të reagimeve të mekura të tij në opinionin publik për çështje të rëndësishme, aq sa ditën që u shkatërrua godina e Teatrit Kombëtar Majko u justifikua se nuk foli se kishte dhimbje të dhëmballës. Por duke ia ditur të gjitha këto pirueta, Edi Rama pak besohet se do ti hapë rrugë për në presidencë. Fakti që në listën e kandiatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 e vendosi të 19-ti në listën e Tiranës kuptohet qartë dëshira e tij për ta nxjerrë nga politika. Fat për Pandeli Majkon ishte vetëm arrestimi i deputetit Bllako prej të cilit i erdhi radha në listë. Por presidenca është tjetër gjë. Majko vetë e di këtë. Ka dëshirë shumë të jetë president, por mundësitë i ka aq të pakta saqë pranoi po në heshtje mandatin e deputetit. Dhe këtë afërmendsh e ka bërë për tu ulur në një cep të sallës dhe për të mos folur duke gjetur ndonjë justifikm të ngjashëm me atë të dhëmballës kur të ndodhë ndonjë ngjarje si ajo e teatrit.

CILËT JANË 10 PRESIDENTËT E REPUBLIKËS

Në 110 vjet shtet, 10 presidentë janë shumë pak. Por kjo lidhet jo vetëm me 50 vitet e diktatuës por edhe me faktin që Shqipëria ka provuar të gjitha format e mundshme të regjimeve politiike qeverisëse. Presidenti i parë Ahmet Zogu, pas tre viteve në krye të shtetit, u shpall mbret dhe për disa dekada vlera e presidentit humbi me vendosjen e monarkisë dhe më pas të Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo kohë e deri te Ilir Meta, Shqipëria ka patur 10 presidentë, gjashtë prej të cilëve janë zgjedhur pas rrëzimit të diktaturës. Nga 10 këta presidentë, 5 prej tyre janë të djathtë: Ahmet Zogu, Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe 5 janë të majtë; Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Rexhep Meidani dhe Ilir Meta. Nga 7 presidentë të zgjedhur pas rrezimit të diktaturës, vetëm Rexhep Meidani është zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste. Katër janë zgjedhur nga radhët e PD, Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe një nga PPSH, Ramiz Alia. Për shkak të detyrës, janë 2 presidentë që janë arrestuar. Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia janë krerët e shtetit që kanë provuar prangat pikërisht për shkak se mbanin postin e presidenti të Republikës. Një tjetër e veçantë e njerëzve të presidencës është se nga 10 prej tyre, 3 kanë qënë në profesionin e ushtarakut: Ahmet Zogu, Alfred Mosiu dhe Bujar Nishani. 3 prej tyre kanë qenë mjekë: Omer Nishani, Sali Berisha dhe Bamir Topi, mjek veteriner. Nga të 10 presidentët 2 prej tyre janë pa diplomë: Ahmet Zogu dhe Haxhi Lleshi. Madje Haxhi Lleshi rezulton të mos ketë patur as ndonjë shkollë tradicionale. Të 10-të presidentët kanë funksionuar në tre regjime: Ahmet Zogu në regjimin presidencial autokratik, Omer Nishani, Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia gjatë regjimit komunist dhe Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani, Ilir Meta në një sistemin demokratik. Edhe më interesante janë vendlindjet e 10 presidentëve. Dy presidentë kanë lindur në Tiranë, Rexhep Meiodani dhe Bamir Topi; 2 presidentë kanë lindur në Shkodër, Alfred Mosiu dhe Ramiz Alia. Presidendët e tjerë kanë lindur përkatësisht në Mat Ahmet Zogu, në Gjirokastër Omer Nishani, në Dibër Haxhi Lleshi, në Tropojë Sali Berisha, në Durrës Bujar Nishani dhe në Skrapar Ilir Meta.
CILËT JANË 10 PRESIDENTËT E SHTETIT SHQIPTAR
1. AHMET ZOGU, president i 1-rë i Republikës
DITËLINDJA: 8 tetor 1895
VENDLINDJA: Burgajet, Mat.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925 deri më 1 shtator 1928
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 3 vjet, 7 muaj e 2 ditë
MOSHA KUR MORI DHE KUR LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 29 vjeç, 3 muaj e 28 ditë dhe e la 32 vjeç, 11 muaj e 7 ditë.
ARSIMIMI: Ushtarak, i arsimuar pjesërisht në Turqi dhe Austri por pa diplomë.
PËRKATËSIA FETARE: Musliman
DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.
VDEKJA: 9 prill 1961, i dignostikuar me kancer.

2. OMER NISHANI, presidenti i 2-të i Republikës (President i presidumit të Kuvendit Popullor)
DITËLINDJA: 1887
VENDLINDJA: Gjirokastër.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 7 vjet, 6 muaj e 21 ditë.
MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën në moshën 69 vjeç dhe e la në moshën 75 vjeç.
ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Universitetin e Stambollit, Turqi.
PËRKATËSIA FETARE: Orgjinë muslimane. Ateist
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.
VDEKJA: 25 maj 1954, vetëvrasje.

3. HAXHI LLESHI, presidenti i 3-të i Republikës (Kryetar i presidumit të Kuvendit Popullor)
DITËLINDJA: 19 tetor 1913
VENDLINDJA: Dibër.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 29 vjet, 3 muaj e 20 ditë
MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 40 vjeç, 2 muaj e 8 ditë dhe e la 69 vjeç, 1 muaj e 2 ditë.
ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuar.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.
PËRKATËSIA FETARE: Me orgjinë muslimane, atesit.
VDEKJA: 1 janar 1998, 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë, natyrore.

4. RAMIZ ALIA, presidenti i 4-ët i Republikës (Kryetar i presidiumit dhe president)
DITËLINDJA: 18 tetor 1925.
VENDLINDJA: Shkodër.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Që nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992.
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 9 vjet, 4 muaj e 11 ditë.
MOSHA KUR MORI DHE E LA DETYRËN: E mori detyrën 57 vjeç, 1 iaj 4 ditë dhe e la 66 vjeç, 6 muaj e 16 ditë.
ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.
PËRKATËSIA FETARE: Me orgjine muslimane, ateist.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.
VDEKJA: 17 tetor 2011, natyrore.

5. SALI BERISHA, presidenti I 5-të i Republikës.
DITËLINDJA: 15 tetor 1944.
VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË:
MANDATI I PARË: 9 prill 1992 deri më 2 mars 1997.
MANDATI I DYTË: 2 mars 1997 deri më 20 korrik 1997.
KOHËZGJATJA NË DETYRË:
HERA E PARË: 5 vjet, 1 muaj e 7 ditë.
HERA E DYTË: 4 muaj 18 ditë
MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.
ARSIMIMI: I diplomuar për Mjekësi në universitetin e Tiranës. Mban gradnë shkencore Profesor Doktor.
PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

6. REXHEP MEIDANI, presidenti i 6-të i Republikës.
DITËLINDJA: 17 gusht 1944.
VENDLINDJA: Tiranë
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002.
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet.
MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrë 53 vjeç e 24 ditë dhe e la 58 vjeç e 24 ditë.
ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës. Mban gradën shkencore Profesor Doktor.
PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet.

7. ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i Republikës
DITËLINDJA: 1 dhjetor 1929.
VENDLINDJA: Shkodër.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007.
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet.
MOSHA KUR MORI DETYRËN: 72 vjeç, 4 muaj e 7 ditë.
ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak.
PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes.

8. BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës.
DITËLINDJA: 24 prill 1957
VENDLINDJA: Durrës.
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet.
MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj.
ARSIMIMI: I diplomuar si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor Kamëz dhe studimet aopsauniveraiter në Itali. Mban gradën shkencore Profesor Doktor.
PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje mulsimane.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet.

9. BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të i Republikës.
DITËLINDJA: 29 shtator 1966.
VENDLINDJA: Durrës
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
MOSHA KUR MORI DETYRËN: 46 vjeç, 1 muaj e 5 ditë.
ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist.
PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet.

10. ILIR META, presidenti i 10-të i Republikës
DITËLINDJA: 24 mars 1969
VENDLINDJA: Çepan, Skrapar.
DITA KUR U ZGJODH PRESIDENT: 28 prill 2017 2017, ora 18.00.
MOSHA E ZGJEDHJES SI PRESIDENT: 48 vjeç, 1 muaj e 4 ditë.
ARSIMIMI: Diplomuar për ekonomi në UT.
PËRKATËSIA FETARE: Musliman i sektit bektashi.
DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Kryetar i Kuvendit, kryeministër, zëvendëskryeministër në qeverinë e Pandeli Majkos, Zëvendëskryeministër në qeverinë Fatos Nanos, zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, sekretar Shteti dhe 8 herë i zgjedhur deputet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu