Shkruan Zef Ndreka
E kam të fiksuar me foto çdo objekt të Regalisë Mbretërore të Bavarisë, që gjenden në Muzeun e Thesarit të Rezidencës në Mynih.
Këtë radhë, do ju paraqes Kurorën Mbretërore, një nga mrekullitë e Muzeut.
Kjo kurorë është krijuar në vitin 1807 nga mjeshtri Martin-Guillaume Biennais, argjendar francez i njohur në oborrin e Napoleonit.
Megjithatë, nuk u përdor kurrë në një kurorëzim zyrtar. Sepse bavarezët nuk zhvillonin ceremoni të tilla, por kurora shërbente si simbol i autoritetit mbretëror.
Kjo vepër, është një strukturë e hapur me tetë harqe. E dekoruar me rubinë, smeralde, safire dhe diamante.Rreth bazës është një brez me perla. Ndërsa sipër ka një glob të vogël me kryq.
Kurora Mbretërore e Bavarisë, qëndron mbi një jastëk prej kadifeje të kuqe të zbukuruar me stemën e Bavarisë.
Pranë saj, sihet shpata e Mbretit (Königsschwert), si pjesë e ceremonialeve mbretërore.
Edhe ajo është e punuar me ar dhe argjend, zbukuruar me gurë të çmuar, që përdorej si simbol i mbrojtjes së ligjit dhe drejtësisë nga ana e monarkut.
Skeptri Mbretëror (Zepter).
Ishte simbol i pushtetit të mbretit mbi shtetin.
Edhe ky, i dekoruar me ar të punuar imët dhe gurë të çmuar.
Në traditën evropiane, skeptri ishte shenjë që mbreti sundonte me autoritet të plotë.
Orbi Mbretëror (Reichsapfel)
Është një glob i artë me kryq sipër i cili simbolizon botën nën besimin e krishterë dhe pushtetin e mbretit mbi tokën, por gjithmonë nën autoritetin hyjnor.
Ky objekt përdorej zakonisht në ceremonitë përfaqësuese dhe vendosej pranë mbretit.
Kurora e Mbretëreshës (Königinnenkrone).
Në vitrinë ndodhet edhe një kurorë më e vogël, e cila i përkiste mbretëreshës.Po ashtu e zbukuruar me gurë të çmuar, por më e thjeshtë se ajo e mbretit.
Kutia dhe stemat mbretërore
Pranë Kurorës së Mbretit, shihen edhe disa objekte ndihmëse, si kutia tetëkëndore prej ari dhe argjendi, që shërbenin për ruajtjen e shenjave të mbretërisë.
Dekorimet mbajnë gjithmonë stemën bardh e kaltër të Bavarisë.
Këto objekte u krijuan në kohën kur Bavarisë iu dha titulli i Mbretërisë në vitin 1806, pas shpërbërjes së Perandorisë së Shenjtë Romake dhe ngritjes së Napoleonit. Ato nuk ishin thjeshtë dhe vetëm simbole dekorative, por dëshmonin statusin e lartë të shtetit bavarez në Europën e shekullit XIX.