Premtimi se “Kënga Magjike” do të sillte surpriza në ekranin e Tv Klan në finalen e madhe, shkoi përtej pritshmërive. Teksa Ardit Gjebrea njoftoi se në sallën e Pallatit të Koncerteve ndodhet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shtoi se nuk është i vetmi kryetar.
Jehona e “Këngës Magjike” është përhapur deri në SHBA. Vetë “Neë York Post” i ka dedikuar një artikull festivalit të muzikës për një arsye të fortë. Djali i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut është konkurrent në kategorinë “Big” të festivalit. Ne e kemi njohur si Jayoo, reperi i pëlqyer shpejt nga publiku shqiptar me këngën “Itsy Bitsy”.
Sonte, vetë kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams në një videothirrje me festivalin, ka disa fjalë dhe jo vetëm, por edhe një veprim domethënës.
Ardit Gjebrea: Mirëmbrëma zoti Eric!
Eric Adams: Si jeni?
Ardit Gjebrea: Mirë, faleminderit. si jeni ju?
Eric Adams: Jam mirë, jam mirë. (Bën shqiponjën me duar).
Ardit Gjebrea: Oh me shqiponjën!
Eric Adams: Jam shumë i lumtur të shoh djalin tim të vijë dhe të performojë aty.
Ardit Gjebrea: Por përpara sot, zoti Eric, për çdo gjë që keni bërë për komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe e di që keni bërë shumë prandaj ju falënderoj shumë në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Nju Jork dhe jo vetëm nga Shqipëria,por nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, faleminderit shumë!
Eric Adams: Ju falënderoj dhe e di që në Nju Jork kemi një komunitet të madh shqiptar, ata kanë qenë gjithmonë mbështetës, më kanë mbështetur mua dhe sot djalin tim, kam edhe gëzimin e një prindi. Dua të falënderoj komunitetin shqiptar për çdo gjë që kanë bërë për këtë qytet të mrekullueshëm që quhet Nju Jork. Janë kaq shumë shqiptarë këtu. Ju falenderoj!/tvklan.al