Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, (SPAK) ish kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshit i është sekuestruar celulari, si dhe është ushtruar kontroll ndaj banesës së tij.
Dyshohet se sekuestro i celularit dhe ushtrimi i kontrollit të banesës ka lidhje me hetimet që po kryen SPAK lidhur me krimet elektorale të ndodhura gjatë fushtës elektorale dhe ditën e zgjedhjeve.
Përveç Roshit, janë ushtruar kontrolle edhe në persona të tjerë dhe janë sekuestruar edhe 3 aparate celularë. Megjithëse janë ndërmarrë këto veprime procedurale, aktualisht ndaj Rroshit nuk është vendosur asnjë masë sigurie.
Hetimet po ndiqen nga prokurori i posaçëm Kondilli dhe janë realizuar nga strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se më datë 11 maj, një qytetare e identifikuar si Xhuli Duda, është ndjekur nga agjentë civilë, ku është parë duke u takuar me Elvis Roshin dhe më pas ka dalë për të vazhduar rrugën e saj ku është kapur me një listë me emrat e familjarëve të saj.
Kjo ka ndritur dyshimet se është paguar në këmbim të votës. Duda u morr në pyetje pasi u kap në flagrancën ndërsa hetimet ende vazhdojnë.