Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ka pritur sot në ambientet e selisë diplomatike në Tiranë kreun e SPAK Arben Kraja. Ajo thotë se takimi vjen pas vizitës zyrtare që ai zhvilloi në Uashington ditë më parë, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të drejtësisë.
Dje, ambasadorja i ka dalë në krah SPAK pasi u njoftua zyrtarisht nisja e hetimeve për ish-presidentin Ilir Meta. Kreu i këtij institucioni u sulmua nga Partia e Lirisë, e cila nxori një dokument dhe pretendonte bashkëpunimin e Arben Krajës me regjimin komunist.
“Kënaqësi të mirëprisja Kreun e SPAK Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon akoma më shumë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin fuqimisht punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, shkruan ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, dhe ndan një foto nga takimi me Arben Krajën.