Prej ditës së sotme, Policia e Shtetit ka drejtuesin e ri, 40-vjeçarin nga Skrapari, Gledis Nano. Me një karrierë 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, Gledis Nano vjen në këtë post të lartë pas dorëheqjes së Ardi Veliut.
Por, kush është kryepolici i ri, Gledis Nano?
Gledis Nano vjen nga një karrierë gati 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit i ka pasur në krye të Antiterrorit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, etj.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.
Nano e ka nisur karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, e më pas është emëruar në Tiranë. Në vitit 2013, ai u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.
Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit dhe së fundmi në gusht të këtij viti u vlerësua dhe nga ambasada amerikane me certifikate vlerësimi.
Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.