Njerëzit u zgjuan në Teheran të premten në orët e para të saj nga zhurmat e shpërthimeve dhe bombave që binin.
Shumë, pothuajse instinktivisht, do ta dinin se ky ishte një sulm nga Izraeli.
Teherani është një qytet që nuk ka parë luftë për dekada, që nga fundi i luftës Iran-Irak në fund të viteve 1980.
Ka pasur sulme të njëpasnjëshme midis Izraelit dhe Iranit, por këto nuk kishin në shënjestër qendrat kryesore të qyteteve apo ndërtesat e banimit.
Prandaj, ky është një moment shumë tronditës për miliona iranianë. Po godet shumë afër jetës së njerëzve.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur me efekt të menjëhershëm “gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë Shtetin e Izraelit pas këtij sulmi parandalues të Izraelit kundër Iranit. Një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile pritet në të ardhmen e afërt. Prandaj, është e nevojshme të zbatohen direktivat e Komandës së Prapavijës dhe autoriteteve, dhe të qëndrohet në strehimore të mbrojtura”, thuhet në deklaratën e zyrës së Ministrit të Mbrojtjes në orët e para të mëngjesit.
Shtetet e Bashkuara thonë se janë në dijeni të sulmeve izraelite ndaj Iranit, por specifikojnë se “nuk janë të përfshira në asnjë mënyrë”. Zyrtarët e Uashingtonit e raportuan këtë për CNN.
Donald Trump ka thirrur një samit qeveritar në Shtëpinë e Bardhë pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, gjithnjë sipas raportimeve të CNN.
Izraeli e ka quajtur ofensivën e tij kundër Iranit “Am Kalavi” që në hebraisht do të thotë “Një popull aq i fortë sa një luan”. Kjo raportohet në deklaratën e Zyrës së Ministrisë së Mbrojtjes Izraelite. Një emër i përmbledhur në anglisht si “Rising Lion”.
NYT ndërkohë raporton se Izraeli ka goditur 6 baza iraniane, përfshirë Parchin.
Ushtria izraelite ka sulmuar të paktën gjashtë baza ushtarake rreth Teheranit, përfshirë vendin Parchin, një kompleks i lidhur me prodhimin e raketave që dyshohet në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore. Kjo raportohet nga Neë York Times.
Shqetësimi më i madh në këtë moment është se kjo do të shkaktojë një luftë më të gjerë dhe më shkatërruese.