Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se njeh shumë persona, si publikë ashtu edhe në jetën e tij private, të cilët kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, por nuk mund të flasë, për shkak të postit që ka mbajtur.
Në një intervistë për Euronews Albania, Topi u shpreh se këta persona sillet në mënyrë të çuditshme, sikur nuk kanë qenë bashkëpunëtorë dhe nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas tij, ligji për hapjen e dosjeve u iniciua për një njeri specifik, shtetasin I.M, që dyshohet të jetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Asgjë e re, është një fabul që e dëgjojmë prej 32 vitesh. Është një detyrim që politika duhet ta kishte realizuar prej vitesh. Tashmë, duket sikur ky ligj po miratohet në mënyrë specifike për një njeri. Nuk është më një probem prioritar i kohës. E kam kërkuar me ngulm që dosjet duhet të hapen. Natyrisht, dosjet nëe do të kërkohen të hapen, do ta tregojnë.
Personi që shikoni këtu ka informacion të plotë, sepse kam qenë në një pozicion ku mu dha mundësia të kisha akses, di shumë gjëra, nuk flas dot sepse respektoj pozicionin që kam pasur. Unë di shumë mirë, njerëz që kam përballë, njerëz publikë, njerëz që më kanë rrethuar në jetën private, është një shoqëri shumë e çuditshme. Ka njerëz që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, kjo është një shoqëri tepër e çuditshme. Politika e ka mbajtur qëllimisht historinë e dosjeve në ajër, për shantazh”, theksoi ai.
94 deputetë votuan dje pro ligjit për hapjen e dosjeve.
Nga 140 deputetë në sallë, vetëm 95 morën pjesë në votim, ku një abstenoi. 45 të tjerë refuzuan të votonin.