Korrupsioni dhe krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitimin e TVSH-së janë dy akuzat që janë ngritur në incineratorin e Fierit.
Sa i përket rastit të parë, punësimi i babait të Alqi Bllakos si dhe bileta e ndeshjes Juventus –Ajaks, kanë shërbyer për prokurorinë për të lidhur ish sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së mjedisit me pronarin e koncesionarit Klodian Zoto.
Dhe për mbikëqyrësin e punimeve Albert Dervishajn, i janë identifikuar dy bileta futbolli dhe qëndrimi në hotel. E më tej dhe për anëtaren e komisionit të vlerësimit të ofertave Etleva Kondi.
Megjithatë akuza nuk ka guxuar të shkojë me hetimin më thellë, të paktën me atë që duket nga vendimi I gjykatës.
Edhe pse opozita ka akuzuar se afera është e lidhur me disa ministra, madje edhe me kryeministrin dhe kryetar bashkie, në dosje nuk vërehen gjurmë të kësaj lidhjeje.
Pjesë e konsiderueshme e hetimit është lëvizja e parave nga kompanitë e përfshira në transaksion dhe momenti i firmosjes së faturave.
Nga analiza e të paktën 8 kompanive prokuroria dyshon se janë faturuar punime në kohën kur koncesionarit nuk i ishte dhënë ende leja për ndërtimin.
Ndërsa disa nga administratorët apo pronarët e subjekteve kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni se çfarë aktiviteti kishte realizuar firma e tyre te incineratori.
Më tej akuza shton se ata nuk kanë pasur as numrin e stafit të nevojshëm për të realizuar detyrimet për të cilat kishin marrë pagesa.
Nga ana tjetër pjesë të parave janë tërhequr kesh nga bankat dhe shuma të tjera janë transferuar në kompani të ndryshme duke zbuluar dhe skemën e pastrim të parave.
Por edhe pse bëhet fjalë për abuzim me mbi 4 milionë euro, hetimet kanë ngecur të biletat dhe te punësimi, pa kapërcyer në nivele të tjera për të cilat ka ngritur pretendime opozita.