Horoskopi për javën 1 deri në 7 janar

0

Viti fillon me ngjarje dhe situata të rëndësishme, mjaft serioze, si në fushën sociale-politike, ashtu dhe në atë personale për secilin prej nesh. Kërkohet seriozitet, shumë punë dhe menaxhim të saktë të situatave që do të na preokupojnë, duke marrë përsipër përgjegjësinë që na takon dhe duke i përballuar me durim dhe këmbëngulje. Eklipsi diellor në 6 janar do të sjellë ngjarje mjaft të rëndësishme në nivel botëror, të cilat do të shohim të ndodhin brenda një muaji, por veçanërisht deri në Eklipsin e Hënës në 21 janar. Në nivel personal ndikohen kryesisht përfaqësuesit e Bricjapit (të lindur rreth datave 5-7/1), të Gaforres (6-8/7) të Dashit (4-6/4),të Peshores( 7-9/10) të Virgjëreshës (7-9/9) dhe të Demit(5-7/5). Të gjithë ju do të bëni fillime të reja duke i dhënë fund një situate dhe duke bërë ndryshime rrënjësore në jetën tuaj. Është e vështirë të keni kontrollin e situatës dhe ngjarjet mund të kenë karakter fatal, prandaj mirë është t’i përballojmë me durim dhe të bëjmë plane për hapat e mëtejshme.

DASHI

Me Marsin, guvernatorin, në shenjën tuaj do të ndiheni shumë energjikë dhe mjaft aktiv ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës. Do të gjeni dinamizmin dhe forcën shpirtërore për të përballuar situatat që do të shfaqen. Në sferën profesionale do të merrni përsipër përgjegjësi që do të kërkojnë shumë punë dhe angazhim të plotë nga ana juaj. Ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës do të bëni fillime të reja në fushën profesionale apo familjare, duke i dhënë fund një situate apo duke mbyllur një cikël për të filluar një të ri. Gjithsesi shumë prej jush do të arrini të vendosni në vijë synimet tuaja, duke ndjerë dhe një stabilitet në jetën tuaj.

Këshillë: Kanalizoni atje ku duhet dinamizmin dhe energjinë tuaj, duke shmangur në këtë mënyrë  tendencat për konflikte dhe kontradikta.

DEMI

Do të kaloni një periudhe me shqetësime dhe preokupime me plane dhe përgatitje për të ardhmen. Planet që do të bëni do të jenë frutdhënës në të ardhmen, mjaft që ju të jeni të përqendruar dhe të shfrytëzoni sa më mirë dhe me rezultat idetë e shumta që do të keni gjatë kësaj periudhe. Lajme mjaft pozitive do të keni si në sferën profesionale ashtu dhe në atë sentimentale. Ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës do t’ju jepni fund situatave që nuk ecin duke bërë ndryshime dhe fillime të reja që do të jenë pozitive për ju dhe të ardhmen tuaj, pavarësisht se për momentin mund të mos ndiheni dhe kaq mirë me prishjen e stabilitetit dhe të sigurisë. Disa prej jush mund të marrin vendimin të ikin përgjithmonë jashtë vendit.

Këshillë: Shmangni prapaskenat dhe kujdesuni për shëndetin duke gjetur metoda relaksimi.

BINJAKËT

Me veprimtari të shtuar për zhvillim dhe përparim në fushën profesionale do ta përshkruaja këtë periudhë për ju. Lajme pozitive për çështje që ju preokupojnë do t’ju japin gëzim këtë javë, ndërsa jeta juaj e përditshme do të gjejë ritmet dhe stabilitetin e saj. Kujdes të veçantë duhet të tregoni në financat tuaja pasi probleme me bankat, tatimet apo bashkëpunëtorët do të shfaqen në të ardhmen. Shumë prej jush jeni gati të bëni gjëra të mëdha si në fushën e karrierës ashtu dhe në jetën tuaj personale.

Këshillë: Rregulloni çështjet financiare dhe mbështetuni në forcat tuaja për momentin.

GAFORRJA

Shumë të angazhuar do të jeni me veprimtarinë lidhur me biznesin apo punën tuaj, ndërsa vëmendja dhe shqetësimi juaj do të jetë në fushën e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve. Konkurrenca dhe pengesat nuk do të mungojnë, por ju do të arrini të dilni fitimtarë dhe të merrni përgjegjësi dhe angazhime të reja në punë, madje disa prej jush do të shpërblehen me një vend më të mirë pune. Shumë kontakte interesante ndoshta dhe me njerëz me potencë do të keni këtë javë, ndërsa në jetën tuaj personale një histori sentimentale do të fillojë. Ndryshime dhe fillime të reja mjaft serioze, por dhe vendimtare, do të bëni ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Këto ndryshime do të prekin kryesisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimet financiare dhe personale, disa prej të cilave do të marrin fund dhe të tjera të reja do të krijohen.

Këshillë: Mos u mposhtni përpara ndryshimeve, është momenti t’i pranoni dhe të shkoni më tej duke planifikuar hapat e reja.

LUANI

Të reja të kënaqshme do të keni në lidhje me bashkëpunëtorët, me fëmijët, të dashurit si dhe financat tuaja gjatë kësaj jave. Do të ndjeni nevojën të çliroheni nga çdo gjë që ju rëndon dhe pengon lirinë tuaj. Në fakt jeni në periudhën ku planet dhe synimet tuaja mund të bëhen menjëherë të realizueshme, prandaj shfrytëzoni momentin dhe vendosni në zbatim të gjitha ato që mendonit vitet e mëparshme. Në sferën profesionale disa prej jush do t’i japin fund një pune dhe disa të tjerë do të nisin një pune të re, që në fillim do t’ju duket e vështirë, pasi do të jetë mjaft kërkuese dhe do të ndryshojë komplet jetën tuaj të përditshme. Një udhëtim do të jetë pjesë e planeve të javës, por ju mos harroni të kujdeseni dhe për shëndetin.

Këshillë: Jepni vëmendjen e duhur hollësive në punë, pasi vetëm atëherë do të arrini rezultatet e dëshiruara.

VIRGJËRESHA

Është një periudhë pozitive për ju, madje një periudhë ku jeni të ftuar të merrni vendime si në fushën profesionale ashtu dhe në jetën tuaj personale. Ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës do të bëni fillime të reja, pozitive për të ardhmen tuaj, por që do të vijnë si rezultat i mbylljes së një kapitulli. Për ju që mund të gjendeni në një dilemë për marrjen e vendimeve dëgjoni zemrën,  por edhe logjikën. Në fushën profesionale si dhe në rutinën familjare gjërat do të jenë pozitive gjatë kësaj jave, ndërsa në sferën financiare gjeni mënyrën të kërkoni ato që ju takojnë dhe kujdes në investimet ju të interesuarit e shenjës.

Këshillë: Ekuilibrimi i jetës erotike ndikon në një psikologji më të mirë.

PESHORJA

Interes të veçantë do të marrin për ju prej kësaj jave bashkëpunimet dhe marrëdhëniet, pasi tensione dhe konflikte do t’i karakterizojnë. Kjo javë premton kontakte me interes profesional por dhe erotik dhe nuk përjashtohet mundësia të krijoni një marrëveshje të re profesionale apo të filloni një histori sentimentale. Probleme dhe situata që do t’ju preokupojnë për një kohë të gjatë do të keni si në familje ashtu dhe në punë ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Tregohuni të pjekur dhe pranoni ndryshimet që mund të ndodhin dhe mos harroni se që të bëjmë një fillim të ri duhet të mbyllim një kapitull të vjetër.

Këshillë: Mos humbisni ekuilibrin.

AKREPI

Veprimtaria juaj do të jetë në rritje dhe ju do të jeni mjaft energjik në biznesin apo punën tuaj. Lajme dhe të dhëna të reja do të ndikojnë pozitivisht në financat tuaja, prandaj të jeni në gatishmëri dhe të shfrytëzoni situatën për përmirësimin e tyre dhe rritjen e të ardhurave. Disa prej jush do të merrni vendime që kanë lidhje me punën apo jetën tuaj personale, duke bërë spastrime dhe duke u larguar përfundimisht nga persona që ju konsideroni tashmë të padëshiruar. Ndërsa disa të tjerë do të njihen me persona të rinj, që do të ndryshojnë jetën tuaj duke ju dhënë mundësinë të bëni një fillim të ri ku ata do të luajnë një rol kryesor.

Këshillë: Kujdesuni për një gjumë të qetë dhe një mënyrë të shëndetshme ushqyerjeje.

SHIGJETARI

Fat, pasion, risk, dashuri, flirt dhe krijimtari janë disa nga karakteristikat e periudhës që po kaloni, por mos harroni masën që duhet të keni dhe tendencat e ekzagjerimit që duhet të shmangni. Gjithsesi lajme mjaft të kënaqshme do të keni në fushën profesionale, por edhe lidhur me financat tuaja. Kujdes të veçantë duhet të tregoni në financat tuaja duke filluar prej datës 6/1 dhe gjithë gjashtëmujorit në vijim duke shmangur lëvizjet e papjekura, që mund të kenë pasoja të pashmangshme në sferën ekonomike. Disa prej jush mund të hyni në negociata apo shitje dhe blerje për të mbështetur planet tuaja afatgjatë, njëkohësisht nuk do të mungoj dhe ndihma e personave të afërm apo me pozitë.

Këshillë: Përfitoni nga favorizimi dhe shmangni ekzagjerimet.

BRICJAPI

Vëmendja juaj prej kësaj jave përqendrohet në fushën familjare. Shumë prej jush do të bëni punime, ndryshime në ambientin e shtëpisë ose mund të vendosni të ndryshoni dhe vendbanim, por ajo që ka rëndësi është të shmangni konflikte dhe kontradikta me persona të familjes dhe njëkohësisht aksidente të vogla. Lajme pozitive do të keni në lidhje me çështjet që ju preokupojnë, ndërkohë që do të arrini të plotësoni nevojën që ndjeni për të pasur kontrollin e situatës. Ngjarja kryesore e javës, e muajit por dhe e gjashtëmujorit, Eklipsi diellor, ndodh në shenjën tuaj në 6/1 dhe ndikon kryesisht juve të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, duke ju sjellë përpara situatave vendimtare për të ardhmen tuaj. Shumë prej jush do të mbyllin një kapitull dhe të tjerë do të bëjnë një fillim krejt të ri. Gjithsesi kërkohet durim, pjekuri dhe shumë punë, veti që ju përshtaten dhe nuk janë të huaja për ju.

Këshillë: Përshtatuni situatave dhe bëni ndryshimet e duhura.

UJORI

Mjaft energjikë, të komunikueshëm dhe në një lëvizje të vazhdueshme do të gjendeni gjatë kësaj periudhe. Dëshira e madhe për komunikim mund t’ju shtyj të thoni gjëra që nuk duhet dhe që do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tuaja. Kjo javë premton shanse dhe propozime për një punë apo një post të ri, duke pasur njëkohësisht mbështetjen e njerëzve të përshtatshëm. Duke filluar nga data 6/1 dhe për një farë periudhe do të ndjeni nevojën të merreni më shumë me veten, veçanërisht me botën e brendshme duke bërë një kontroll endoskopik, duke bërë plane dhe duke marrë vendime për çështje që deri tani ju preokuponin. Gjithsesi mos merrni përgjegjësi më shumë se ato që mund të mbani në shpatullat tuaja.

Këshillë: Kujdes për shëndetin.

PESHQIT

Prej kësaj jave vëmendja juaj përqendrohet në financat tuaja ku do të keni të ardhura dhe shpenzime, prandaj mirë është të ruani ekuilibrin mes tyre dhe të mos humbni kontrollin. Kjo javë ju premton lajme të mira në sferën profesionale dhe situata do të jetë mjaft frutdhënëse për ju. Shanse dhe favorizim do të keni si në fushën profesionale ashtu dhe në jetën tuaj sentimentale pasi në një farë mënyre ato janë të lidhura mes tyre për ju. Prej datës 6/1 do të vendosni qëllime, synime dhe do të bëni plane krejt të reja që do të ndryshojnë gjërat. Këto qëllime që të realizohen dhe të mos ngelen thjesht në letra apo në mendjen tuaj kërkojnë organizim dhe menaxhim të saktë si dhe disiplinë të hekurt.

Këshillë: Bëni plane me afat të gjatë dhe organizohuni për realizimin e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu