Hakimi i faqes së INSTAT, Berisha akuza Ramës: Kërkon të fshehë të dhënat që faktojnë ikjen masive të shqiptarëve!

0

Ish kryeministri, Sali Berisha nga dritarja e banesës ku ai po vuan masën arrest shtëpie, akuzoi kryeministrin, Edi Rama se ka gisht në hakimin e faqes së INSTAT. Sipas tij, qeveria ka pasur si qëllim shkatërrimin e të dhënave të regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.

Berisha deklaroi se Rama, me hakimet kërkoi që të zhdukte dy krimet e tij më të mëdha në këtë 10 vjeçar, atë të shpopullimit masiv të Shqipërisë dhe fshehjes së krimeve të tij.

Ish kryeministri tha se në 10 vite Rama arriti të largoi rreth 1.5 milionë shqiptarë, diçka që nuk ka arritur ta bëjnë as pushtuesit më të mëdhenj.

Marrim lajme të cilat ndonjëherë nuk i kanë marrë as edhe në netët më të zeza të pushtimeve shekullore. Sot doli lajmi se dora e zezë e Edi Ramës ka rrëmbyer, ka shkatërruar të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës. Nga koha e Skënderbeut, në të gjithë shekujt e Perandorisë Osmane, në 110 vite shtet shqiptar, kjo është hera e parë që një qeveri me dorën e saj të zezë, prish regjistrimin e popullsisë. Ky është një krim i shëmtuar antikombëtar. Me këtë krim, Edi Rama do të mbulojë 2 krimet e tij më të mëdha të këtij 10-vjeçari.

Së pari, do të mbulojë shpopullimin masiv të shqiptarëve me politikat e tij antishqiptare. Këtu para jush në mënyrë të përsëritur kam bërë publike informacionet që më vinin se numri i shqiptarëve të regjistruar ishte nën 1.5 milionë. Dhe se Edi Rama po shtynte shpalljen e regjistrimit sepse kishte urdhëruar mbartjen të qindra e mijëra emrave, në mos miliona, nga regjistrat e Gjendjes Civile, për t’i paraqitur si banorë të regjistruar në tetorin që kaloi. Por, në proces e sipër, kuptoi se ky mashtrim do të zbulohej menjëherë nga EUROSTAT, i cili ka të regjistruar 1.1 milionë shqiptarë të larguar nga Shqipëria në zonën e Shengenit në 8 vitet e fundit të qeverisjes së Edi Ramës. Atëherë skenari i hakerimit qeveritar, i shkatërrimit të të dhënave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Natyrisht ky proces kriminal vjen në vazhdën e një serie procesesh që filluan me publikimin e rrogave, me publikimin e targave të të gjithë shqiptarëve, me publikimin e organigramës së ujdisur me NATO-n të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe vazhdoi me grabitjen të gjithë të dhënave të TIMS-it për të fshehur gjurmët e krimeve.

Për të fshehur lidhjet e krimit të Edi Ramës, udhëtimet e tij me avion në dispozicion, në 18 muaj janë 147 udhëtime për transporte të të gjitha llojeve dhe të gjitha destinacionet. Për të fshehur grupin e Xibrakës dhe udhëtimet e Olsi Ramës. Pra, për të fshehur krimet e shëmtuara qeveritare. Por kjo e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës përbën aktin më të shëmtuar në historinë e një shteti. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit osmanë. Nuk është bërë kurrë gjatë diktaturës. Kjo u bë për herë të parë sepse Çubrilloviçi apo Pashiqi i shqiptarëve, me politikat e tij përgjysmoi popullin në këtë vend”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu