Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, i pyetur pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë për sulmin kibernetik të ndodhur dje ndaj Postës Shqiptare nga grupi “Homeland Justice”, duket se e ka pasur pak të vështirë të japë një përgjigje të qartë. Ai vetë pranon se ende nuk dihet se çfarë kanë arritur të vjedhin hakerët iranianë, ose ndoshta po përpiqet ta mbajë këtë informacion “të fshehtë” nga publiku.
“Në momentin që flasim po bëhet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe jo vetëm. Shërbimet e postës po vijojnë normalisht nuk ka të dhëna që janë inkriptuar, por duhet të presim përfundimin e analizave. Vetë AKSHI i ka kapacitetet që rrisin garancinë për integritetin e të dhënave publike në institucionet shqiptare”- tha Demo, duke shtuar se kapacitetet e AKSHI-t rrisin garancinë për integritetin e të dhënave publike. Një deklaratë që ngjan më shumë me një qetësim formal sesa me një siguri reale, duke lënë qytetarët me më shumë pyetje se përgjigje për situatën e ndjeshme kibernetike.


