Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në burg që nga 4 korriku i viti 2024, ka kërkuar nga Gjykatën e Posaçme (GJKKO), gjykim të shkurtuar për çështjen penale të njohur si “SASPAC”.
Në fjalën e tij para gjykatës, Beqaj fillimisht ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar pushim të çëshjtes penale, ose në të kundërt kthimin e akteve në SPAK për plotësim të hetimit. Beqaj gjithashtu është munduar që të ketë një manovër për çdo skenar të mudsahëm, pasi në rast të kalimit të dosjes në gjyq, ish-ministri ka kërkuar gjykim me procedurë të shkutuar.
Kjo procedurë, sipas ligjit, ul dënimin deri në një të tretën nëse i pandehuri shpallet fajtor. Pra Beqaj ka përgatitur manovrën që në rast të shpalljes fajtor, të shmangë dënimin maksimal.
Në dosjen “SASPAC”, SPAK akuzon Beqajn për 6 vepra penale në 27 episode. Akuzat përfshijnë korrupsion në 2 raste, shkelje të barazisë në tendera në 8 raste, falsifikim dokumentesh në 9 raste, mashtrim me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe fshehje pasurie në 3 raste. Hetimet lidhen me kohën kur ai drejtonte agjencinë që menaxhonte fondet e BE-së.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm për të cilin Beqaj akuzohet nga SPAK. Ish-ministri po gjykohet paralelisht në Gjykatën e Posaçme për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në formën e grupit të struktururuar kriminal, gjatë nënshkrimit të kontratës koncesionare të “Sterilizimit”.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 6 vite burg ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Me 6 vite burg biznesmenin Ilir Rrapaj. Marsela Sejranajt, Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Arben Gjata u dënuan me 3 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Të gjithë përfituan ulje dënimi pasi kërkuan gjykim të shkurtuar.
Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme, jashtë kësaj pjese të dosjes që tashmë është mbyllur.



