Një bankë e nivelit të dytë është tentuar të grabitet në qendër të Tiranës, në Bulevardin “Zogu i I”. Mësohet se persona ende të paidentifikuar kanë tentuar grabitjen e bankës pranë Ministrisë së Drejtësisë duke u futur përmes tuneleve të nëndheshme.
Dje në këtë zonë është gjetur dhe një armë zjarri, tip pistoletë dhe hetuesit menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, shkruan newsbomb.al. Aty është zbuluar e gjithë skema që do të përdorej nga autorët, të cilët po përgatiteshin dje kishin nisur gërmimet nën tokë.
Për këtë ka reaguar dhe Policia e kryeqytetit, e cila thotë se ka parandaluar në kohë.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mësohet se personat ende të paidentifikuar po kryenin gërmime nën tokë për të dalë në kasafortat e një prej bankave që ndodhen në Bulevard, pasi janë më shumë se 3 banka të nivelit të dytë që ndodhet atje. Ata janë trembur kur Forcat Shqiponja kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë braktisur në mes punimet.
Personat janë futur në një nga hyrjet e ujësjellës-kanalizimeve për ujërat e zeza dhe veshur mbanin jelek për t’u kamufluar si punonjës të agjencive shtetërore që merren me këto shërbime, mëson newsbomb.al. Deri tani ka vetëm një person të ndaluar por hetimet vazhdojnë.
Në tunelin nën tokë janë gjetur shishe ujë dhe bishta cigaresh, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer gërmimet të pa shqetësuar. Kur hetuesit janë futur nën tokë, ata kanë parë se drejtimet e gërmimit shkonin drejt bodrumit të një prej bankave që ndodhen atje, dhe kjo i ka bindur se bëhej fjalë për një tentativë grabitje.
Personi i shoqëruar është ndaluar dje nga Forcat Shqiponja dhe dyshohet se dhe arma që është gjetur te Ministria e Drejtësisë, i ka rënë atij në ecje e sipër. Ngjarja është mbajtur e fshehtë për shkak të rëndësisë së saj dhe për arritur te arrestimi i të gjithë personave që janë pjesë e këtij grupi që po punonte për vjedhjen e bankës.