Pritshmëritë për gjykatën antikorrupsion dhe SPAK vazhdojnë të jenë të larta, por me vendet e paplotësuara te të dyja, duket se gjyqtarët dhe prokurorët janë trembur më tepër nga vetting-u sesa nga dosjet e nxehta që i presin.
E teksa SPAK zotërohet nga burrat, e kundërta ndodh në Gjykatën e Posaçme, aty ku pjesa dërrmuese e gjyqtarëve që kanë veshur tunikën për të vendosur ndaj të korruptuarve dhe krimit të organizuar janë gra.
Megjithë garën e hapur nga KLGJ, kuptohet se gjyqtaret burra nuk janë të interesuar për Gjykatën e Posaçme.
Gjykata e Posaçme që vendos për hetimet e SPAK u konstituua në 2019 , por megjithë kohën që ka kaluar numri i gjyqtarëve të kërkuar nga ligji nuk është plotësuar.
Ndërkohe nga ajo që kuptohet nga gjyqtarët që gjenden në detyrë, nga 15 prej tyre si të shkalles së parë dhe të Apelit të Posaçëm, 11 janë gjyqtarë zonja dhe katër burra.
“Në fakt kjo është një pyetje që kërkon përgatitje dhe e bërë kështu befasisht s’di sa mund t’ju përgjigjem, pasi është një çështje që do studim.
Por mendimi i parë që më vjen është që gratë në magjistraturë janë më tepër dhe janë më studioze. Megjithëse për mua kushdo që vesh tunikën është gjyqtar dhe nuk ndahen në burra dhe gra, por në gjyqtarë që vendosin”, thotë Saida Dollani, gjyqtare per median.
Aktualisht të dyja gjykatave u mungojnë 12 gjyqtarë .
“Them që në këtë stepje ka ndikuar edhe procesi i vetting-ut, sepse është kriter për t’u ngritur në karrierë në këtë gjykatë”, thotë Dollani.
Në SPAK duhet të emërohen edhe 3 të tjerë për të plotësuar kuotën prej 20 prokurorësh të posaçëm.