Shkruan Sokol Pepushaj
Ose janë qorra, ose i mbyllin sytë kur shohin. Nuk shikojnë monumentin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut 11 meter të lartë, por ambasadoren Yuri Kim, rreth 1.65 cm, në një fotografi që e bëjnë virale.
Heroi ynë, kujtesa historike, mes komplekseve të sistemit hajdut, jo vetëm “harrohet” nga Gjinushët e shkencave dhe Ramët e Veliajt e qiellgërvishtësve që pastrojnë para krimi në vendin më të vjedhur të Europës, por edhe mbulohet me idiferencë nga mediet që u shërbejnë klaneve mafioze e jo informimit dhe edukimit shoqëror.
Është realitet, pse ta fshehim. Jo vetëm pasuria, historia e kultura, por edhe fjala, e vërteta, janë në rrezik. Kur stimulohen këto “barëra” të këqija, shoqëria shpërthen, merr frymë, dihatet si toka.
Ja, kjo po ndodh sot.
Nuk ka mbetur shqiptar i vetëm që nuk i ka neveri politikanët, pushtetarët, matrapazët mediatikë që shtiren për një shtet ligjor e janë në anën e krimit.
Pra, vritet një lajm e ngjizet një tjetër.
Po spekulohet edhe brenda spekulimit. Ja sheshi ‘Skënderbej’. Kali gjigant, ka ngritur këmbën e djathtë lart, ka hingëllirë fuqishëm, për t’na “zgjuar” kujtesën historike.
Po ku jemi ne?
Jemi këtu, pra aty ku nuk duhet.
Këtij Kalit, skulptori Odhise Paskali, ka 54 vjet që i ka vënë mbi kurriz heroin e rezistencës kundër osmanëve, Gjergj Kastriotin. Prandaj “zëri” i këtij “kali” kumbon bukur ngado nëpër kancelaritë e perëndimit.
Kulti i kalit dhe i Gjergjit, janë njësuar si dy Hyjni, pranë të cilave është me “fat” një fotografi.
Këtu e shkrepi blitcin ambasadorja Yuri Kim. Fotoja “fluturoi” përmbi Kodrën e Diellit, Surrel, Gji të Lalzit, saraje, vila, resorte, male e plazhe, pastaj u fut në çdo televizion, celular e bisedë të çdo shqiptari, pra, kudo ku 4 Klanet Mafioze kanë pasuritë dhe tek cilido që ata kanë vjedhur. Më shqip. Në çdo skutë shkoi ambasadorja.
Poshtë fotografisë diçitura:
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim mbi heroin kombëtar dhe luftëtarin më të madh Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili u lind në këtë ditë, 6 maj, në 1405. Sot, ne festojmë historinë dhe trashëgiminë e tij.”.
Sa bukur është, kur dikush tjeter na thotë fjalë të mira që ne nuk i gjejmë, as për Heroin tonë Kombëtar, as për vete.
Kemi shumë ngjarje që na “humbin”, apo jo?
Kemi një të ndaluar në polici që pas tre orësh në “pyetje”, del me arkivol e niset tek varrezat e Kavajës; kemi dy deputetë, Fatmir Mediu e Fatmir Mahmutaj, që u sekuestrohen pasuri përrallash e megjithatë shkojnë në Parlament, bëjnë ligje e na zgjedhin Presidentin e ri të Republikës, non grat-en Sali Berisha që bën miliona dollarë aktivitete publike antiamerikane, që humbin nëpër rutinën e kohës, edhe nëpër fotografi. Mediet nuk e çelin “syrin të pyesin, as e lëvizin buzën të pyesin, more, po nga vijnë e ku shkojnë gjithë këto para, etj.etj.
Ky shesh është qorr përballë shumë të vërtetave.
Kanë mbajtur mitingje mashtruese Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Erion Veliaj, Bamir Topi, Fatmir Mediu, Lulzim Basha, Edi Rama, Skënder Gjinushi, Petrit Vasili. Këta e gjithkush tjetër, kanë gënjyer prej 32 vitesh publikisht. Edhe kur monumentit të Gjergj Kastriotit i mbulohet pamja me beze nga Erion Veliaj, se “turqit” nuk e shohin dot, është mashtrim. Asnjë kryebashkiak, as ata të Sali Berishës që anëtarësuan Shqipërinë në Konferencën Islamike, s’ja fshehën pamjen Heroit tonë Kombëtar. Këta që gërvishtin retë me ndërtime, me para krimi që qarkullojnë “filtrave” të Ndranghetës, “krehin” edhe zonën e informacionit, me kujdesin e arrogantit dhe idiotit.
Në bashkinë e Tiranës ka një skuadër të madhe patronazhistësh, që paguhen nga taksat tona për “gazetari” propagandistike.
Përtej propagandës, veç gënjeshtër ka.
Pra, thjeshtë, kishim një fotografi të ambasadores Yuri Kim, një mesazh të bukur, se jeta në qytet u takon qytetarëve, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu është “zemreku” simbolik i historisë që ndez “drita” të forta për betejat e forta, që po zhvillohen mes shqiptarëve e pushtetarëve grabitës të pasurive publike.
Ja, ky është lajmi kolegë, ky është mesazhi i fotografisë tek monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Edhe pse “qëllohet”, lajmi nuk vdes.
Gjergji mbi kalë, është një “fletë” e lavdishme e historisë sonë. Hapeni paksa syrin qorr. Por, edhe në e kërkoni lajmin, si me thënë tek fotografia, prapë është i bukur. Gjergji 11 m. Yuri 1.65 cm./Pamfleti
Ndiqni videon: