Gara për të pasuar Truss, Johnson dhe Sunak kandidatët kryesorë

0

Boris Johnson ka zhvilluar bisedime me ish-ministrin e tij të Financave, Rishi Sunak, teksa garës për të zëvendësuar Liz Truss si kryeministre të Britanisë po i afron fundi.

Sipas mediave britanike, Johnson dhe Sunak janë kthyer në figurat favorite për të zëvendësuar Truss, që e njoftoi dorëheqjen e saj ditën e enjte, vetëm 6 javë nga marrja e detyrës.

Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka deklaruar zyrtarisht kandidaturën, Sunak ka arritur pragun prej 100 firmash për të qenë pjesë e garës, ndërsa Johnson 53.

Një balotazh mes dy politikanëve mund të rezultojë përçarës për konservatorët, së paku sepse shumica e mbështetësve të Johnson konsiderojnë dorëheqjen e Sunak në korrik si shkakun e rënies së qeverisë së tij.

Por mediat britanike raportojnë se dy konservatorët mund të arrijnë një marrëveshje. Burime të cituara nga BBC thanë se takimi mes tyre ndodhi, por nuk u bë publike se çfarë u diskutua. Takimi u cilësua nga media të ndryshme si një “samit i fshehtë”.

Nëse njëri apo të dy vendosin të garojnë, ata do të përballen me lideren e Dhomës së Përfaqësuesve, Penny Mordaunt, e para dhe deri tani e vetmja ligjvënëse që ka hyrë zyrtarisht në garë.

Hera e fundit që konservatorët mbajtën një garë për lidership ishte pas rënies së qeverisë së Johnson, ku Truss doli e para, Sunak i dyti dhe Mordaunt e treta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu